Subscribe

Në Korçë, gjithçka është gati për raundin e dytë të negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjet e pazgjidhura.

 

Ministri i jashtëm Ditmir Bushati dhe delegacioni që e shoqëron ndodhen në qytetin juglindor, ku bënë përgatitjet e fundit për bisedimet.

 

Ndërsa ministri i jashtëm grek Nikos Kocias dhe ekspertët që e shoqërojnë zgjodhën të kalojnë territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Kapshticës.

 

Akomodimi i delegacioneve është bërë në një nga hotelet në qendër të qytetit, ndërkohë që orët e vona të pasdites i janë rezervuar nisjes se bisedimeve të para.

 

Gjithçka do të zhvillohet pa praninë e mediave, duke ruajtur formatin e negociatave të zhvilluar pak kohë më parë në ishullin e Kretës.

 

Dy delegacionet kanë një sërë çështjesh për të ridiskutuar: më të rëndësishmet mes tyre janë caktimi i kufirit detar mes dy vendeve, ligji i luftës që është ende në fuqi në Greqi, varrezat greke dhe problemet kufitare me emigrantët.

 

Ministrat kanë në ekipet përkatëse edhe ekspertët të cilët do të shqyrtojnë në detaje çështjet për të cilat arrihet dakortësia.

 

Negociatat në Korçë do të vijojnë gjatë gjithë ditës së shtunë, ndërsa të dielën pritet të ketë një deklaratë zyrtare për rezultatet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *