Subscribe

Bisedimet e Kretës, mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, nuk ka prodhuar asnjë zgjidhje mbi çështjet e mprehta që prekin dy vendet. Megjithatë, negociatat kanë afruar palët, duke kapërcyer disa nga përplasjet e së kaluarës. Raundi i dytë i bisedimeve zyrtare është vendosur të zhvillohet në Shqipëri.

 

“Bisedimet përbënë një hap të rëndësishëm përpara dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet ekzistuese prej një kohe të gjatë do të vijojnë. Në dritën e këtyre zhvillimeve, u ra dakord që ministrat të takohen sërish në Shqipëri në vijim, në mënyrë që të vlerësojnë progresin e arritur dhe të vendosin për hapat e mëtejshëm konkret përpara.”

 

Ministritë e të dy vendeve kanë publikuar të njëjtën deklaratë për mediat, ku thuhet se gjatë bisedimeve, të cilat u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, u krye një punë substanciale.

 

“Të dyja palët pranuan rëndësinë e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe ranë dakord për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për të arritur rezultate pozitive duke u mbështetur në vlerat dhe normat  evropiane, në të mirë të dy vendeve dhe popujve të tyre.”

 

Në dy ditë negociata, janë diskutuar çështjet më të nxehta mes dy vendeve, ku për palën shqiptare me rendësi është rinovimi i Traktatit të Fqinjësisë, heqja e ligjit të luftës dhe çështja Çame. Ndërkohë që për Greqinë, interesi më i madh përqendrohet tek marrëveshjet e firmosura nga qeveria Berisha, për kufirin detar e rrezuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Marrëveshja për varrezat greke.

 

Atmosfera mes dy delegacioneve përtej seriozitetit në trajtimin e çështjeve, ka pasur edhe momente dëfrimi. Në ishull dy shefat e diplomacive janë pritur nga kryebashkiaku Lasithit nen ritmet e muzikës tradicionale vendase dhe Bushati e Kotzias nuk kane hezituar te kërcejnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *