Presidenti Alexander Vucic e konsideron shfuqizimin e masës së reciprocitetit nga ana e qeverisë Kosovare, si një rrugë të hapur drejt dialogut por shprehet skeptik mbi thelbin e marrëveshjes. Në një intervistë për radion Europa e Lirë, kreu i shtetit serb nënvizoi se takimet e para mes palëve mund të nisin pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi.

“Besoj se do të ketë një efekt të mirë në ekonominë e Beogradit dhe Prishtinës, do të ketë një efekt të mirë tek njerëzit. Sigurisht, kjo do të hapë mundësinë e dialogut politik mes nesh. Pas zgjedhjeve në Serbi unë pres vizitën e të dërguarit special, Miroslav Lajçak edhe në Beograd edhe në Prishtinë. Pastaj, do të shohim se si do të vazhdojmë”, tha Vuçiç.

Presidenti Vucic u shpreh se Kosova është e përkëdhelur nga ndërkombëtarët ndërsa Serbia është e detyruar të bëjë lëshime.

“Ata janë fëmijë të amerikanëve dhe gjermanëve dhe të gjithë atyre që krijuan pavarësinë e Kosovës. Çfarëdo që të bëjnë, për ta gjithmonë do të ketë lëshime dhe vullnet të mirë, ata do t’i ndihmojnë. Ne nuk jemi në atë situatë, nuk mund të shmangemi nga bisedimet.”

Kreu i shtetit serb deklaroi se do të jetë i gatshëm për kompromis me qëllimin që të sigurohet paqe dhe stabilitet për dekadat e ardhshme. “Serbët dhe shqiptarët janë dy kombet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe kjo gjë do të jetë kështu edhe 100 ose 200 vjet të tjera.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *