Udhëheqësi bjellorus Aleksandër Lukashenko shkoi në Rusi të premten për bisedime me Presidentin Vladimir Putin, në mes të tensioneve me Evropën rreth uljes dramatike të një avioni pasagjerësh në Minsk dhe arrestimit të një blogeri disident. Po të premten, autoritetet ruse refuzuan të lejojnë dy avionë të vendeve të Bashkimit Evropian që të kalonin në Moskë dhe të shmangnin përdorimin e hapësirës ajrore të Bjellorusisë.

Autoritetet ruse refuzuan të lejojnë një avion të Austrian Airlines nga Vjena dhe Air France nga Parisi që të uleshin në Moskë dhe fluturimet u desh të anuloheshin, thanë kompanitë.

Megjithëse Rusia tha se bëhej fjalë për probleme teknike, veprimi duket të jetë shenjë mbështetjeje për qeverinë e Minskut.

Shefi i punëve të jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell thotë se nuk e di nëse këto janë incidente të izoluara.

“Ishte një konfuzion i madh në trafikun ajror, por ende nuk e di nëse po bëhet për raste specifike, apo është një normë e përgjithshme nga autoritetet ruse për t’i bërë aeroplanët evropianë që të përshkojnë hapësirën e Bjellorusisë”, tha ai para se të hynte në një takim të Ministrave të Mbrojtjes të BE-së.

Ai shtoi se duhet pritej për të parë nëse ishte e nevojshme të merreshin masa.

Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko tha se “situata është pothuajse absurde” duke iu referuar mungesës së fluturimeve me me Rusinë, për shkak të pandemisë.

“Mendoj se do të arrijmë një marrëveshje me presidentin Putin për këtë çështje, sepse një situatë e vështirë na shtyu të marrim masa”, tha ai duke folur për vendimin e BE-së për të mos përdorur hapësirën bjelloruse dhe mundësinë për rivendosjen e lidhjes ajrore midis Rusisë dhe Bjellorusisë.

Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë u takua me zyrtarët e lartë rusë të premten për të kërkuar ndihmë në mes të përplasjes me Bashkimin Evropian rreth devijimit të një fluturimi për të arrestuar një gazetar disident.

Lukashenko takohet me Putin në rezidencën e tij të Detit të Zi në Soçi për bisedime mbi lidhje më të ngushta ekonomike, sipas Kremlinit.

Bisedimet ishin planifikuar që para incidentit të avionit, por vijnë ndërsa Perëndimi ka akuzuar Bjellorusinë për pirateri për mënyrën se si u ul avioni.

Rusia, një aleate e ngushtë i ka ofruar mbështetje verbale Minskut, ndërsa hedh poshtë spekulimet se ajo ishte vetë bashkëpunëtore në incidentin e Minskut./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *