Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka deklaruar se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, është përgjegjës për dhënien e urdhrit për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç.

 

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai theksoi se mbrojtja që presidenti serb po i bënë të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, nxjerr në konkludim që Vuçiçi i ka urdhëruar këtë vrasje.

 

“Kërkesat tona ndaj autoriteteve serbe për bashkëpunim juridik në rastin Ivanoviq kanë ngecur në atë çast kur të gjitha dyshimet e bazuara e nxorën Milan Radojçiçin si të dyshuarin kryesor për atentatin vdekjeprurës që shtetasit dhe politikanit të Republikës së Kosovës, Oliver Ivanoviç i kushtoi me jetë. Në vend të bashkëpunimit dhe vendosjes para drejtësisë së të dyshuarit kryesor,  ai u mor në amnisti nga Presidenti Aleksandër Vuçiç. Nuk ka asnjë shpjegim racional përveç faktit se në mes Vuçiçit dhe Radojçiçit ekziston një marrëdhënie e tillë e urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit”.

 

I pari i Drejtësisë në ekzekutivin e vendit ka siguruar qytetarët e Kosovës, sidomos komunitetin serb, se institucionet e Kosovës do të punojnë derisa ta sjellin autorin e këtij krimi para drejtësisë.

 

“Qytetarët e Kosovës dhe veçmas ata të komunitetit serb duhet të jenë të sigurt se drejtësia herët a vonë do ta sjellë para përgjegjësisë autorin e këtij krimi, dhe të vërtetën e faktuar nuk do të ketë regjim që do të mund ta amnistojë. Ivanoviç ishte qytetar i Republikës së Kosovës për zbardhjen e rastit të së cilit institucionet tona nuk do të ndalen deri në fund”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *