Për më shumë se dy orë ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri dha deklarime në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen “Habilaj” dhe përfshirjen e emrit të tij në përgjimet Italiane.

 

Deputeti i Partisë Socialiste shoqërohej nga dy avokatët  Maks Haxhia e Artan Hajdari, ndërsa kërkesa e organit të akuzës erdhi një ditë pas kontrollit të banesës.

 

Në dalje Saimir Tahiri ndonëse nuk pranoi të jepte shumë detaje nga seanca e pyetjeve, tha se është i gatshëm të hetohet deri në fund madje falenderoi dhe Prokurorinë.

 

Ai kërkoi nga politika që t’i japë fund akuzave në adresë të tij, duke theksuar se tashmë ai e ka betejën me drejtësinë.

 

Ish-ministri kërkoi pak ditë më parë që të pyetej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ai po hetohet për  akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike drejtuar nga Habilajt, akuzë për të cilën Prokuroria kërkoi arrestimin e tij, qe u refuzua nga parlamenti.

 

Përpara prokurorëve Vladimir Mara dhe Dritan Premçi, Tahiri mësohet se ka mohuar të gjitha akuzat për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai ka deklaruar gjithashtu se nuk ka lidhje me Habilajt përveç faktit qe u ka shitur automjetin.

 

Për këtë fakt hetuesit po përpiqen të bien në gjurmët e Audi A8. Megjithë kontrollet ne shtëpitë e tyre dhe sekuestrimit te 5 automjeteve te tjera, Policia e Vlorës nuk ka mundur te gjeje Audin, per te cilin ka dyshime se përdorej nga Habilajt per trafik droge.

 

Ndonëse automjeti u shit nga ish-ministri, akti i pronësisë nuk kaloi tek Artan Habilaj, por policia mendon se ai ka qarkulluar pa probleme edhe përtej kufijve shqiptarë, nëpërmjet kontratës noteriale. Kontrolli i Audit mund te sillte të dhëna të rëndësishme për prokurorët, por zhdukja e mjetit për momentin i ka lënë pezull hetimet në këtë drejtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *