Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar përkeqësimin e kostos së jetesës dhe rritjen e papërballueshme të çmimeve të banesave, duke deklaruar se familjet shqiptare po mbeten pothuajse pa asnjë hapësirë financiare për shëndetin, arsimimin e fëmijëve apo kursimet.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku thekson se një banesë standarde në Tiranë kushton sot sa 18–20 vite të ardhura të plota të një familjeje.
“Jo 20 vite jetë normale, por 20 vite të ardhura të plota, sikur familja të mos kishte për të paguar ushqimin, shëndetin, shkollimin e fëmijëve apo kujdesin për prindërit”, shkruan ajo.
Sipas deputetes demokrate, situata është po aq e rëndë edhe për familjet që jetojnë me qira. Një familje me dy paga mesatare mund të shpenzojë rreth 40% të të ardhurave bruto dhe pothuajse gjysmën e të ardhurave neto vetëm për qiranë e një apartamenti. Ndërkohë, ushqimet bazë zënë rreth 40% të buxhetit të konsumit.
“Çfarë mbetet për kujdesin shëndetësor, për fëmijët, për prindërit e moshuar, për kursimet apo për disa ditë pushime familjare? Pothuajse asgjë”, shprehet Tabaku.
Ajo e lidh krizën e përballueshmërisë jo vetëm me rritjen e çmimeve, por me deformimin e tregut nga monopolet, informaliteti, klientelizmi dhe ligjet që, sipas saj, favorizojnë një pakicë të lidhur me pushtetin.
“E gjithë kjo nuk ka të bëjë aspak me një treg të lirë që drejtohet nga kërkesa dhe oferta. Shqipëria e këtij sistemi socialist është një treg i deformuar nga informaliteti, monopolet, klientelizmi dhe mungesa e konkurrencës së ndershme”, deklaron deputetja e PD-së.





