Tabaku: Përjashtimi i KAYO-s nga TVSH-ja, një tjetër skemë privilegjesh me adresë

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, ka kundërshtuar vendimin e qeverisë për përjashtimin nga TVSH-ja të importeve të pajisjeve dhe makinerive që përdoren në prodhimin e armëve.
Sipas Tabakut, vendimi nuk përfaqëson një politikë të mirëfilltë për zhvillimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes, por krijon një regjim privilegjesh fiskale për një numër të kufizuar përfituesish, ku përfituesi kryesor duket se është kompania KAYO.
“Për 13 vite, qeveria e la mbrojtjen kombëtare jashtë prioriteteve të saj. Investimet në mbrojtje mbetën nën angazhimet e Aleancës dhe Shqipëria ende nuk ka një strategji të qartë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes”, shkruan Tabaku në reagimin e saj.
Deputetja demokrate thekson se qeveria nuk po ndërton një politikë kombëtare për sigurinë, por po përdor politikën fiskale për të përcaktuar fitues të paracaktuar.
“Në Shqipërinë e Edi Ramës, politika fiskale nuk përdoret për të nxitur ekonominë. Përdoret për të zgjedhur fituesit”, shprehet ajo.
Tabaku sjell në vëmendje edhe qëndrimin e qeverisë ndaj propozimeve të opozitës për uljen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore. Ajo kujton se, megjithëse një masë e tillë lejohet nga Direktiva e Bashkimit Europian dhe zbatohet nga vende të rajonit, qeveria ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka hapësirë fiskale.




