Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se nuk po zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkrirjen e Bordit të Transparencës dhe atij të Ushqimeve.

 

Tabaku shprehet se dy bordet po dëmtojnë qytetarët, ndërsa dëmi përllogaritet deri në 600 milionë euro.

 

“Qeveria duhet të zbatojë vendimet e Gjykates Kushtetuese!

 

Gjykata kushtetuese ka vendosur që Bordi i Ushqimeve dhe Bordi i Karburanteve perveçse antikushtetuese i kanë kryer funksionet e tyre në kohë!

 

Në shkelje të plotë të konkurencës, me një rast të pashembullt në botë, bizneset e mëdha u ulën në tryezë me qeverinë e përcaktuan çmimet në dëm të xhepit të qytetarëve! Nga kjo shkelje e kushtetutës të paktën 600 mln Euro u paguan shtesë nga qytetarët në arkën e bizneseve që uleshin në tavolinë për të vendosur çmimin”, thotë ajo.

 

Ajo deklaron se situata nuk është më emergjente ndaj ekzistenca e dy bordeve dëmton xhepat e qytetarëve, duke shtuar se detyra e tyre ka përfunduar.

 

“Bordi i Ushqimeve ndonëse ligjërisht ende i pashkrirë de facto nuk po mblidhet më. Ndërkohë që Bordi i Karburanteve vazhdon avazin e vjetër duke vendosur çmime në kurriz të shqiptarëve për naftën.

 

E gjitha kjo kur ka një vendim të GJK që flet qartë, kur jemi përballë një situate që nuk është më emergjente dhe kur çmimet e naftës dhe gazit në tregun ndërkombëtar janë stabilizuar!

 

Vendimi i GJK është i qartë dhe në mbrojtje të xhepave të shqitparëve që paguajnë më shtrenjtë naftën prandaj nuk ka asnjë arsye logjike dhe ligjore që bordi oligarkëve të jetë në fuqi. I takon qeverisë që të veprojë, por e kuptoj dhe hezitimin e saj pasi është ortake në çmimet e larta që vendos bordi. Prandaj i bëj thirrje dhe parlamentit që të mblidhet për të kërkuar pezullimin e aktivitetit të këtij bordi”, shton Tabaku.

 

Nënkryetarja e PD nënvizon se Kuvendi duhet të shqyrtojë veprimtarinë e bordeve dhe të marrë një vendim në të mirë të qytetarëve.

 

“Jam e bindur që ka shumë prej kolegëve socialistë që mund të ndajmë shumë mendime të ndryshme por puqemi pikërisht në çmendurinë e këtij bordi sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

 

Detyra e Parlamentit! Detyra e çdo deputeti është të mbrojë interesin e shqiptarëve, pasi ata janë zgjedhësit tanë dhe jo një klub oligarkësh që u vendos atyre çmimin e lartë të naftës duke ua shtrenjtuar jetën më shumë se sa inflacioni socialist”, përfundon ajo.

 

Bordi i Transparencës dhe Ushqimeve u krijua për të përcaktuar një tavan të çmimeve gjatë periudhës së rritjes së kostove të lëndëve të para për shkak të efekteve të luftës në Ukrainë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *