E premte, 9 Tetor 2026 Lajmet e Fundit deri në 05:15 Në vijim ora 05:15: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Sylvinho: Më zhgënjen vetëm rezultati! Stojkovic vlerëson pikën dhe përgëzon tifozët shqiptarë: Ishin fantastikë

Shqipëri-Serbi nuk mund të ishte kurrsesi vetëm një ndeshje futbolli. Ata që e deklaronin këtë gjë në të dyja kampet, e bënin thjesht për formalitet dhe për të mos i hedhur benzinë zjarrit, sepse në fakt një përballje mes dy kombeve që kanë një të shkuar me një mijë e një probleme, nuk mund të konsiderohej normalitet. Masat shumë të forta të sigurisë, me prezencën e mbi 2 mijë efektivëve në terren, përfshirë antiterrorin dhe forcat RENEA, blindimin e ekipit kundërshtar dhe ndalimin e pjesëmarrjes së tifogrupeve shqiptarë në stadium përmes mosdhënies së biletave të dedikuara, ishin pjesë e një agjende që synonte neutralizimin e çdo incidenti. E megjithatë, ultrasit e Kombëtares e kishin gjetur zgjidhjen.

Ata ishin pozicionuar jashtë stadiumit, duke e kthyer sheshin para Piramidës në një mini-stadium përmes një organizimi elektrizues.

Reklamë

Stadiumi, ndryshe nga sa pritej, nuk ishte plot; mungonin 2 mijë tifozë. Simbolet e UÇK-së ishin “kafshatë e ndaluar për t’u përtypur”, dhe kush i kishte, u nxor jashtë me forcë. Asnjë banderolë apo koreografi, ndërsa të vetmet mjete për të shfryrë inatin ishin gotat plastike me birrë apo pije freskuese, të cilat në ndonjë rast kishin në shënjestër lojtarët miq, të cilët nuk lanë rast për të provokuar apo simuluar… E megjithatë, asgjë nuk krahasohej me çka ndodhi 11 vite më parë në Beograd – gjë të cilën u kujdes ta evidentonte në konferencën për shtyp edhe trajneri Dragan Stojković:

“Atmosfera ishte fantastike. I përgëzoj tifozët shqiptarë për këtë. Do të doja të kishim një atmosferë si kjo edhe ne.”

Reklamë

Më pas, një koment edhe për rezultatin:

“Shqipëria ka një skuadër të mirë dhe me cilësi. Një barazim ishte rezultati më realist. Kjo pikë është më e ëmbël për ne se për ta. Që të fitosh ndeshjen, duhet të shënosh. Nuk mund të krijosh 10-15 raste. Nëse ke një, dy, tre raste, duhet t’i shfrytëzosh. Ky barazim është më i këndshëm për ne se për Shqipërinë.”

Nga ana tjetër, Sylvinho mori përsipër vendimmarrjen për goditësin e penalltisë, Rei Manaj, i cili e gaboi.

“Për fat të keq, jam i zhgënjyer pak nga rezultati, por skuadra ishte shumë mirë. Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë, u munduam të shfrytëzonim një kundër një sulmuesit me mbrojtësit. Jam krenar për lojtarët, për të gjithë. Nuk është e lehtë të bësh ndeshje në këtë nivel. Për fat të keq, rezultati na zhgënjen, por ishte një ndeshje shumë e bukur.”

Takimin e radhës, Shqipëria do ta ketë të martën në transfertë kundër Letonisë.

/vizionplsua.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë