Miliona tonë ushqime, shpesh në gjendje perfekte për përdorim – përfundojnë në mbeturina çdo vit në Evropë. Rajoni i Brukselit synon të detyrojë supermarketet të dhurojnë ushqime të skaduara.

 

Jeannine Weyekmans dhe vullnetarë të tjerë shpërndajnë ushqim për 150 familje. Weyekmans drejton një magazinë ushqimore në distriktin Leken të Brukselit. Ata shpërndajnë ushqim të enjteve në kishën protestante atje. Këtu vijnë njerëz që nuk kanë ku të shkojnë dhe ku të ushqehen.

 

Karrocat dhe shportat e dorës mbushen shpejt me ushqime. Por zgjedhja e ushqimit është e kufizuar – në këtë vend ka ushqime që dhurohen nga supermarketet lokale.

 

Disa kanë skaduar, por ende mund të përdoren pa kurfarë problemi. Produkte të tjera, si vaji dhe mielli, kanë një flamur të BE-së në paketim – që do të thotë se ato paguhen nga një projekt i Bashkimit Evropian.

 

Barku bosh dhe shporta plot

 

Jeannine Weyekmans na thotë se këtu vijnë njerëz që jetojnë me asistencë sociale, njerëz me borxhe ose emigrantë që nuk i kanë ende letrat e rregulluara dhe nuk mund të punojnë. Ajo thotë se ata kontrollojnë se kush vjen për të parandaluar abuzimin – por ata nuk e kthejnë askënd në shtëpi duarbosh.

 

“Disa njerëz që vijnë këtu jetojnë vetëm me atë që ne u japim, nga e enjtja deri të enjten,” shton Jeannine Weyekmans.

 

Magazina e saj ushqimore është një nga 140 në rajonin e kryeqytetit belg. Magazina kryesore e ushqimit atje shpërndan rreth pesë milionë kilogramë ushqim çdo vit për organizatat jofitimprurëse. Është një tmerrësisht e vështirë të sigurosh donacione të mjaftueshme. Sipas vlerësimeve të Eurostat, rreth dhjetë për qind e ushqimit nga raftet e supermarketeve përfundon në plehra. Në vitin 2020, në plehra kanë përfunduar 59 milionë tonë ushqime. Në të njëjtën kohë, 32,6 milionë njerëz në Bashkimin Evropian nuk kanë një vakt të nxehtë cilësor as çdo dy ditë.

 

„Ideja e keqe me qëllime të mira“

 

Alan Maron, ministër për Çështjet Sociale në rajonin e Brukselit, thotë se vetëm në rajonin e kryeqytetit belg, 70.000 persona varen nga donacionet ushqimore.

 

Duke filluar nga viti i ardhshëm, Maron dëshiron të detyrojë të gjithë supermarketet me një sipërfaqe shitje prej më shumë se 1.000 metra katrorë të dhurojnë ushqime që nuk arrijnë t’i shesin në kohë. Propozimi për një ligj të tillë kaloi në lexim të parë, por ende është në pritje të miratimit përfundimtar.

 

“Është një ide e keqe me qëllime të mira,” thotë Hans Cardin, zëdhënës i Shoqatës belge të rrjetit të shitjes me pakicë. Siç shprehet ai, supermarketet tashmë dhurojnë shumë, ndërsa detyrimi për të dhuruar do të ndikonte në çmime. Sepse tani ushqimi para afatit të skadencës u ofrohet konsumatorëve me një çmim më të ulët.

 

Rregulla shumëngjyrëshe në Evropë

 

Belgjika nuk do të ishte vendi i parë në të cilin do të imponohej dhurimi i ushqimit. Federata Evropiane e Bankave të Ushqimit (FEBA), e cila përfaqëson 351 banka ushqimore në 30 vende, ka përvoja shumë të ndryshme.

 

Vende të tilla si Franca dhe Republika e Çekisë i detyrojnë supermarketet të nënshkruajnë marrëveshje me organizatat që mbledhin ushqime për donacione.

 

Sipas Angela Frigo, sekretare e përgjithshme e FEBA, vende të tilla si Italia dhe Moldavia ofrojnë lehtësime tatimore dhe reduktojnë burokracinë për të inkurajuar dyqanet për të dhuruar ushqime.

 

Së fundi, vende si Holanda dhe Hungaria preferojnë dhurimet vullnetare. Megjithatë edhe Spanja së shpejti mund të rregullojë me ligj mbetjet ushqimore. Por FEBA nuk ka një përgjigje të qartë në pyetjen e DW nëse ligjet për dhurimin e ushqimeve të mbetura rrisin sasinë e donacioneve. Thonë se ligje të tilla herë shtojnë e herë ulin sasinë e ushqimeve të dhuruara.

 

Ndryshimi kryesor është një “fokus më i fortë në çështjen e dhurimit të ushqimit dhe një dialog më i thellë midis të gjitha palëve të përfshira”, sipas FEBA.

 

A kemi më shumë sesa mund të hamë?

 

Paul Milburn, një gjeograf social në Universitetin e Cardiffit, thotë për DW se çdo gjë e vogël ndihmon. Por pyetja kryesore që mund të shtrohet është, pse prodhohet kaq shumë ushqim?

 

Milburn beson se supermarketet kanë me bollëk ushqime – më shumë se sa mund të shiten ndonjëherë. Pra, rezulton se ne prodhojmë çmendurisht teprica që më pas do të përfundojnë në plehra. Por nuk janë vetëm supermarketet që hedhin ushqimet. Komisioni Evropian thotë se më shumë se gjysma e ushqimit në plehra vjen nga familjet private.

 

Komisioni dëshiron të kufizojë sasinë e këtyre mbetjeve deri në vitin 2030. Sipas rregullave të ndryshme, sasia e ushqimit të shpërdoruar në prodhim duhet të reduktohet me 10 për qind, si dhe me 30 për qind në shitje dhe në amvisëri. Propozimet ende duhet të shqyrtohen nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare.

 

Siç thotë Milburn, është problematike që të ushqehen njerëzit me gjendje të rëndë sociale me ushqime që përndryshe do të shkonin në plehra. Ai mendon se ka mënyra shumë më të mira për t’i mbajtur të gjithë të ngopur, pa pasur nevojë të shkojnë në magazinat për ushqime të skaduara, sepse këto vende shpesh shoqërohen me stigma sociale./ DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *