Sali Berisha, ditën që i duhet të paraqitet në SPAK, u distancua nga sulmi që militantët e Partisë Demokratike i bënë Vilës 31, të ish- diktatorit Enver Hoxha, gjatë protestës së pestë kombëtare të 28 shkurtit, të shtunën.
Kreu demokrat sqaroi se protestuesit nuk kanë qenë në dijeni se brenda ambienteve kishte njerëz dhe se ish- shtëpia e udhëheqësit komunist ishte shndërruar në një qendër kulturore.
Berisha u kërkoi ndjesë artistëve të huaj, të cilët të alarmuar nga bombat me molotov dhe fishekzjarrët lanë godinën për t’ju drejtuar një vendi më të sigurt.
“Ndjej shumë keqardhje për ata të huaj që kanë qenë aty dhe i siguroj se ata nuk kanë qenë kurrë objekt i atyre që i kanë hedhur ato mjete piroteknike. Jo, por nuk e kanë ditur se janë aty. Sidoqoftë për ata ndjej keqardhje të madhe, nuk duhej të ndodhte kurrsesi. Dy të huaj kanë qenë aty, dy zonja. Nuk e ka ditur njeri fare”, tha Berisha.
Edhe një herë kryeopozitari vuri në dukje se tubuesit besonin se brenda vilës ndodhej kryeministri, Edi Rama.
“Aty u tha se kanë futur njerëz të policisë kriminale t’u thonë protestuesve që banon Edi Rama aty. Dhe fillimi i sulmeve ndaj asaj vile ka ardhur me besimin se aty banon Edi Rama. Urrejtja për Edi Ramën është e pakufishme dhe nuk mundet ne që të pengojmë urrejtjen ndaj Edi Ramës. Kjo është e vërteta. Por ai nuk ishte aty, ai banonte herë pas here tek vila e Mehmet Shehut”, shtoi Berisha.
Të dielën, Ambasada Franceze në Tiranë reagoi ashpër ndaj sulmit,duke thene se organizatorët e protestës s’mund të injoronin faktin që prej vitit 2025, godina shërben si rezidencë për artistë ndërkombëtarë. Vila 31 në ish- Bllok menaxhohet nga fondacioni francez Art Explora. Protesta e së shtunës pasoi me largimin e Drejtorit të Policisë, Ilir Proda dhe atij të Tiranës, me arsyetimin se dështuan të ruajnë jetën e qytetarëve shqiptarë e të huaj./vizionplus.tv





