Sulmohet aeroporti i Assad në Siri, 14 viktima

14 persona kanë humbur jetën pasi një aeroport ushtarak në Siri u sulmua me raketa në orët e para të së hënës. Rusia dhe qeveria siriane kanë fajësuar Izraelin, por nuk I kanë kursyer dyshimet edhe për SHBA. Incidenti vjen pas alarmit ndërkombëtar mbi një sulm të dyshuar kimik në qytetin sirian, Douma, të kontrolluar nga rebelët. Shefi i Shtëpisë se Bardhë Donald Trump e cilësoi Presidentin sirian Bashar al-Assad një kafshë, duke paralajmëruar se ai, bashkë me aleatët, Iranin dhe Rusinë, do ta paguante shtrenjtë.
Trump dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën premtuan një reagim të fortë dhe të koordinuar ndaj sulmit kimik. Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mbajë mbledhje urgjente.
“Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të kërkojë qasje për ndërhyrjen e parë dhe për një hetim të pavarur “, tha ambasadorja Niki Haley.
Në sulmin me armë kimike ne Duma, e cila është pika e fundit nën kontrollin e opozitarëve në Gutën Lindore, kanë humbur jetën 78 civilë.




