Ndërsa policia spanjolle dhe ajo europiane është vënë në kërkim të shoferit 22-vjeçar që përplasi me kamion turmën e njerëzve në sheshin e njohur Las Ramblas, ku mbetëm 14 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur, nëna e Junus Abujakub i bën thirrje të dorëzohet në polici. E shoqëruar nga dhjetëra familjarë dhe të afërm të celulës terroriste, që u mblodhën në sheshin Ripoll, nëna e shoferit të arratisur, u bëri thirrje të rinjve të dorëzohen.

 

Sipas mediave spanjolle, ajo nuk beson se djali i saj ka qenë pjesë e ndonjë celule terroriste, madje hedh dyshimet se ai është manipuluar nga Imami i Ripoll, në xhaminë që të rinjtë frekuentonin shpesh. Nga ana tjetër, qeveria spanjolle ka deklaruar se celula terroriste që kreu sulmin në Barcelonë dhe planifikonin të kryenin një sulm më të madh në Kambrils, është shkatërruar plotësisht.

 

Grupi përbëhej nga 12 persona, 5 prej të cilëve tashmë janë vrarë, ndërkohë janë gjetur trupat e të paktën tre personave të tjerë në një shtëpi që u përkiste terroristëve. Por, Ministri i Brendshëm katalanas, thekson se operacioni i policisë nuk mund të konsiderohet i përfunduar derisa të gjithë anëtarët e këtij grupi të jenë arrestuar.

 

Vetëm disa orë pas sulmit në Spanjë, ISIS mori përgjegjësinë e sulmeve terroriste që përfshinë edhe Rusine dhe Finlandën. Ata kërcënuan se objektivi i ardhshëm i sulmeve të tyre do të jetë Italia. Autoritetet italiane njoftojnë se të gjitha strukturat janë vënë në gatishmëri të lartë.

 

Ndërkohë, në Barcelonë vazhdon ende zia kombëtare. Familja mbretërore Filipi i 2 në Spanjë, mori pjesë në meshën “Paqe dhe Harmoni” të Bazilikës “Familia Sagrada” në Barcelonë këtë të dielë, në përkujtim të viktimave të sulmit terrorist 2 ditë më parë. Qindra njerëz marshuan një ditë më parë në sheshin Las Ramblas, për të treguar se nuk kanë frikë nga terroristët, dhe ndezën qirinj në përkujtim të viktimave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *