Mëngjesin e 11 shtatorit 2001, qytetarët e New Yorkut u zgjuan për të përjetuar njërën nga ditët më tragjike në historinë moderne. Në orën 08:46, një avion i rrëmbyer nga terroristët goditi njërën nga kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë, dhe vetëm 17 minuta më vonë një avion i dytë goditi kullën tjetër. Dy ndërtesat 110-katëshe u përfshinë nga flakët, ndërsa qindra zjarrfikës dhe punonjës të emergjencës vrapuan për të shpëtuar jetët e njerëzve të ngujuar brenda.
Sulmet nuk përfunduan në New York. Në orën 09:37, një avion i tretë u përplas mbi Pentagon, ndërtesën e Departamentit të Mbrojtjes në Washington, ndërsa avioni i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani, pasi pasagjerët ndërhynë kundër rrëmbyesve. Në total, 2,977 persona humbën jetën në sulmet e 11 Shtatorit, pa përfshirë 19 rrëmbyesit e avionëve.
Përgjegjës për sulmet ishte grupi ekstremist islamik Al Kaida, i udhëhequr nga Osama bin Laden, që kishte planifikuar gjithçka nga Afganistani. Rrëmbyesit kishin hyrë në SHBA që në vitin 2000 dhe ishin trajnuar në shkolla fluturimi brenda vendit. Sulmet tronditën botën dhe nxiten SHBA-në të shpallë “luftë kundër terrorizmit”.
Në tetor të po atij viti, SHBA dhe aleatët e saj pushtuan Afganistanin, që qeverisej nga talibanët aleatë të Al Kaidës. Qëllimi ishte shkatërrimi i rrjetit terrorist, kapja e bin Ladenit dhe largimi i talibanëve nga pushteti. Megjithatë, lufta zgjati dy dekada dhe përfundoi vetëm në vitin 2021, kur trupat amerikane u tërhoqën dhe talibanët rimorën kontrollin e vendit.
Pas 11 Shtatorit, bota ndryshoi. Siguria në aeroporte u rrit ndjeshëm, kabinat e pilotëve u blinduan dhe kontrollet u bënë më të rrepta. Ndërkohë, u raportua rritje e ndjeshme e islamofobisë në shumë vende perëndimore. Sot, në vendin ku ndodheshin Kullat Binjake, ngrihet “Kulla e Lirisë”, një simbol i qëndresës dhe kujtesës për ata që humbën jetën në atë ditë të zezë.
/vizionplus.tv





