Qyteti i Nju Jorkut do të zhvillojë ceremoninë vjetore të përkujtimit të gati 3,000 personave, që kanë vdekur si pasojë e sulmit më të madh terrorist në historinë amerikane, përmes një minuti heshtjeje në kohën e saktë kur xhihadistët e Al-Kaidës kanë sulmuar me dy aeroplanë, kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë.

Ndërkohë që krimi po rritet, dyqanet dhe apartamentet po zbrazen dhe njerëzit e pastrehë shihen rrugëve, Nju Jorku të premten do të shënojë 19-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ndërkohë që përballet me pandeminë me koronavirus dhe me mospajtime me Shtëpinë e Bardhë.

Në vend të mbajtjes së fjalimeve për të vdekurit, familjet e viktimave kanë incizuar veten paraprakisht. Thirrjet e tyre do të prezantohen në “nivelin zero” të memorialit.

Muzeu që nderon viktimat do të hapet për herë të parë prej kur koronavirusi ka bllokuar qytetin në muajin mars.

othuajse dy dekada pas sulmeve, 11 shtatori vazhdon të mbetet sinonim i heroizmit dhe qëndrueshmërisë së Nju Jorkut.

Liderët e qytetit kanë vënë në pah këtë të fundit edhe në muajt e kaluar, pasi shkalla e infektimit me koronavirus – që ka lënë të vdekur 23,000 persona në këtë qytet, njëherësh epiqendrën e hershme të këtij virusi në Shtetet e Bashkuara – është ulur në gati nën 1 për qind.

Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo ka thënë të martën se qëndrueshmëria e banorëve të Nju Jorkut pritet të testohet sërish nga efektet sociale dhe ekonomike të pandemisë me koronavirus.

Zyra bosh deri më 2021?

Gale Brewer, presidente e rrethit të Mentahtën, ka thënë se ishulli i njohur për energjinë e tij, tani përballet me një varg problemesh.

Disa prej tyre janë drejtpërdrejt të lidhura me pandeminë: pothuajse të gjithë punëtorët me këmisha të bardha, sikurse punëtorët e bankave, tregtarët dhe punëtorët e sigurimeve shëndetësore, kanë punuar nga shtëpitë prej muajit mars. Kjo gjë ka ndikuar në zbrazje të Mentahtënit, duke lënë mijëra dyqane dhe restorante të vogla pa konsumatorë.

Boris Tulchinskiy, inxhiner, 26-vjeçar, ka thënë se i mungon Mentahatën, mirëpo beson se “do të vazhdojë të punojë nga shtëpia”, në Nju Xhersi, deri në korrik të vitit 2021.

Nëse më shumë se 60 milionë turistë, që kanë vizituar Nju Jorkun çdo vit, kanë ikur, njëjtë ka ndodhur edhe me vetë banorët e Nju Jorkut, mijëra prej të cilëve kanë lënë qytetin.

Të paktën 35,000 persona janë larguar nga Mentahtën, bazuar në kërkesat për votim përmes postës në zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor, ka thënë Brewer.

Shumë biznese tani janë mbyllur: në mes të vitit 2017 deri më 2020, numri i hapësirave të lira komerciale pothuajse është dyfishuar, mbi 78 për qind, ka thënë ajo.

Personat e pastrehë tani janë më të dukshëm për shkak të mbylljes së shumë strehimoreve për shkaqe shëndetësore, dhe transferimit të gati 31,000 personave në hotele të zbrazëta të Mentahtënit.

Rritja e dhunës në familje dhe e të shtënave me armë zjarri – mbi 47 për qind dhe 166 për qind në muajin gusht, në krahasim me vitin paraprak – është një prej aspekte kyçe të krizës me të cilën po përballet ky qytet.

E përditshmja amerikane, New York Times ka raportuar që edhe pse shifrat e dhunës janë shumë më të vogla sesa ato të viteve 1970/80, Nju Jorku, që dikur është krenuar se është një prej qyteteve më të sigurta, tani është kthyer në nivelet e vitit 2012 sa i përket krimit.

 

 

PAMJE NGA SULMET E 11 SHTATORIT 2001

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *