Subscribe

E kemi njohur dhe pëlqyer si Sulejmani i “Luginës së ujqërve” një ekskluzivitet në Shqipëri nga Vizion Plus e që u bë seriali i parë turk më i shitur në gjithë Europën.

 

Emri i tij i vërtetë është Oktay Kaynarca dhe konsiderohet si një ndër personazhet më me ndikim pas rolit të tij si Sulejman Çakërr në serialin “Lugina e ujqërve”, edhe pse numëron dhjetëra produksione të tjera kinematografike.

 

Në Turqi, fansat organizuan një funeral dhe e nderuan figurën e tij, pasi personazhi humb jetën. Jo pak fansa ka edhe në Shqipëri. Ndaj edhe ka mbërritur në Tiranë.

 

“Nuk mendoja se do të gjeja kaq shumë fansa edhe në Shqipëri. Gjithçka ndodhi shpejt. Më thanë që shqiptarët të duan dhe unë erdha. Nuk parashikuam shumë gjëra por sot ndihem vërtet i nderuar duke marrë parasysh se më njihni vetëm nga “Lugina e ujqërve”. Për mua ka qenë vërtet një projekt i rëndësishëm. Kur e nisëm nuk besonin që do të kishte të tillë impakt, por njerëzit arritën të përjetonin bashkë me seritë edhe ngjarjet duke i lidhur shpesh me të vërteta që po ndodhnin në Turqi. Media madje shkroi që Sulejman Çakërr vdiq, ndaj nderoni Oktajin. Në fakt ishte një funeral ku shihja fotot e mi. Nuk di ta shpjegoj ndjesinë. Është mirë kur të vlerësojnë, por edhe qesh e qan kur sheh si vajtojnë për ty. Kanë kaluar disa vite që nga ajo kohë, e tani në Tiranë më ktheni emocionet më të bukura që kam pasur kur realizonin “Lugina e ujqërve”.

 

Seriali i transmetuar në Vizion Plus, tërhoqi vëmendjen e publikut në më shumë se 17 vende të botës duke u blerë menjëherë të drejtat e transmetimit. Por, askund si në Turqi, ku analistë të shumtë i lidhnin ngjarjet politike me impaktin që ky serial kishte në shoqëri.

 

“Kudo në botë politika dhe arti takohen në një pikë. Në Turqi, e ekzaktësisht me “Luginën e ujqërve” ndodhi që kishte disa pikëtakime. Unë si artist nuk mendoj se këto lidhje bëjnë keq. Madje nënkuptoj, se arti e kinemaja duhet të përçojë mesazhe në politikë e shoqëri për një jetë më të mirë, ashtu sikurse mendoj se politika duhet të ndikojë në art, por pa e penguar atë.”

 

Suksesin e ka në filmat aksion, e një të tillë po xhiron aktualisht. Kjo e ka ndihmuar të jetë gjithnjë në formë e gati për produksionin e radhës.

 

Oktay lakohet si ndër aktorët më me përvojë në serialet turke, që gjithnjë e më shumë po operojnë në tregun europian. Këtë sukses, ai e lidh edhe me faktin që të vërtetat e kanë gjithnjë derën e hapur.

 

“Mendoj se serialet tona po transmetohen tani në shumë vende të botës sepse nuk gënjejnë shumë. Disa seriale rrëfejnë histori. Perandoria osmane, veshjet dhe kultura me elementët e vet kanë tërhequr vëmendje.  Disa seriale të tjerë janë romane klasikë të letërsisë turke, ndërsa të tjerë kanë gjithnjë një mision për të përmbushur. Në vijë të parë është misioni, e pastaj dashuria. E ndërthurja e temave, investimi që bëhet për kostumet, për teknikën dhe për gjithë stafin besoj se e bëjnë të mirë sot kinemanë e serialet turke.”

 

Para se të largohet na zbulon edhe se do të donte shumë të realizonte një film për Ataturkun. Madje për të kjo mbetet një sfidë që i duhet kinemasë turke e që do ta donte patjetër një rol të veçantë në të. Por, deri atëherë uron që publiku shqiptar ta njohë edhe në rolet të tjera për të cilat po punon aktualisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *