Suedia ka konfirmuar se do t’i transferojë Ukrainës 16 aeroplanë luftarakë Jas 39 C/D Gripen, në kuadër të mbështetjes ushtarake ndaj Kievit në luftën kundër Rusisë.
Sipas njoftimeve zyrtare, dorëzimi i avionëve pritet të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm.
Në të njëjtën kohë, janë paralajmëruar edhe negociata për shitjen e një numri shtesë aeroplanësh më të avancuar Jas 39E, të cilët konsiderohen version modern i flotës Gripen dhe me kapacitete të përmirësuara luftarake.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina pret të marrë avionët e parë Gripen me pilotët e saj në periudhën dhjetor–janar
Ai theksoi se aeroplanët do të jenë të pajisur me armatim të plotë, përfshirë raketat “Meteor”, të cilat sipas tij kanë aftësi goditjeje deri në 100 kilometra.
“Ne besojmë se do t’i shtyjmë avionët rusë dhe ata nuk do të mund të përdorin në mënyrë masive bombat rrëshqitëse. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, u shpreh Zelensky.
Ai shtoi se ka edhe elementë të tjerë të rëndësishëm të marrëveshjes që nuk mund të bëhen publikë për momentin, duke e cilësuar këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.





