Subscribe

Studentët e mjekësisë vijojnë betejën e tyre kundër ligjit që i detyron të punojnë 2 deri në 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, duke i mbajtur peng diplomën.

 

Një përfaqësi e të rinjve takuan sot në presidencë kreun e shtetit, me kërkesën që të mos e dekretojë vendimin e shumicës në seancën parlamentare të 20 korrikut.

 

DEA GURI

 

STUDENTE E MJEKESISE

 

“Presidenti na dëgjoi bashkë me këshilltarët e tij në një tryezë diskutimi, më së shumti dëgjesë për problematikat tona, shprehu edhe ai qëndrimin e tij ku do konsultohet dhe do e shqyrtojë këtë ligj tanimë të miratuar në parlamentin e Shqipërise dhe presim një reagim në ditët në vijim.”

 

Mjekët e ardhshëm refuzojnë të përjashtohen nga vendimmarrjet që prekin ata të parët, ndërsa shprehen se kriza e largimit të tyre nuk mund të zgjidhet me rrugë të shkurtra.

 

MARIO RABIAJ

 

STUDENT I MJEKESISE

 

“Qasja ishte pozitive, u dëgjuan të gjithë argumentat dhe disa rekomandime që ne kemi dhënë për zgjidhjen e situatës që pretendohet të jetë emergjente por nuk është aspak e tillë. Ne do vazhdojmë takimet zyrtare dhe të argumentojmë ato qe ne i quajme shkelje.”

 

Sakaq, presidenti Bajram Begaj siguroi përfaqësuesit e studentëve se do të shqyrtojë me seriozitet të gjitha argumentet e paraqitura prej tyre, si dhe argumentet e relatuara nga ligji para se të veprojë sipas kompetencës dhe procedurës kushtetuese.

 

Nëse zëri i të rinjve do të shkojë në vesh të shurdhër, ata janë të gatshëm të vazhdojnë betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese dhe gjithashtu do të bojkotojnë vitin e ri akademik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *