Viti i ri akademik në Minsk nisi me arrestimin e dhjetëra studentëve dhe gazetarëve, të cilët protestuan kundër presidentit Aleksandër Lukashenko.

Ata marshuan përgjatë Rrugës së Pavarësisë, ndërsa pranë ndërtesës së Ministrisë së Arsimit protesta u përshkallëzua në dhunë.

Studentët tentuan të thyejnë kordonët e policisë, ndërsa autoritetet janë përgjigjur me forcë, duke lënë të plagosur disa persona.

Protestat kundër sundimit të Lukashenkos vazhduan në të gjithë Bjellorusinë, që nga zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, të cilat janë refuzuar nga faktori ndërkombëtar,  si të manipuluara.

Për tre të diela me radhë, qendra e kryeqytetit Minsk është mbushur me turma prej 100,000 deri në 200,000 protestues.

Ndërkohë, një nga figurat kryesore të opozitës në Bjellorusi, Maria Kolesnikova, njoftoi se po formon një parti të re të quajtur “Së bashku”.

Aleksandër Lukashenko nuk pranon negociata me opozitën, ndërsa më herët deklaroi se do ta dorëzojë pushtetin vetëm nëse e vrasin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *