Në prag të sezonit turistik, mbi 650 struktura akomoduese në të gjithë Shqipërinë do t’i nënshtrohet një kontrolli për të garantuar sigurinë e vizitorëve, por edhe të stafit. Aksioni ka nisur nga Inspektorati Shtetëror Teknik, i cili po verifikon në terren sigurinë e bombolave të gazit dhe lidhjet elektrike. Ministrja Belinda Balluku, teksa ndoqi nga afër një nga inspektimet e kryera në një strukturë hoteliere në Vlorë, tha se është më rëndësi që ky proces të finalizohet para 1 majit.

“Ky është një kontroll në të mirën e punës së tyre. Ky është një kontroll që padyshim do kërkohet nga agjencitë e mëdha të turizmit botëror, të cilat tashmë janë ato që lidhen direkt me hotelet në shumicës e rasteve. Bëhet fjalë për kushtet e sigurisë që vijnë nga pajisjet nën presion, pra për të gjithë përdoruesit e atyre hoteleve që përdorin gazin, por që pothuajse të gjithë e kanë këtë shërbim. Gjithashtu ne kemi në këto momente në fokus tonë inspektimin e lidhjeve elektrike në të gjitha ndërtesat e hotelerisë”,  tha Balluku.

“Kemi gjetur një bashkëpunim shumë të mirë me subjektet. Shpresoj që do t’ia dalim, ti certifikojmë dhe ta fusim këtë kulturën e re të punës në çdo subjekt për të pasur një turizëm sa më të sigurtë”,  u shpreh Sokol Zaimi, drejtor i Inspektoriatit Shtetëror Teknik.

Këtë vit Vlora pret që të vizitohet nga 40% më shumë vizitorë se sezonin e shkuar dhe në këtë kontekst, kryebashkiaku Ermal Dredha u shpreh se siguria është parësore. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *