Subscribe

Gjyqtari i Posaçëm Erion Bani, në vendimin e zbardhur për masën e sigurisë ndaj ish- ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka arsyetuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale për të cilën ai akuzohet ajo e “Shpërdorimit të Detyrës”.

 

Ndaj, për të siguruar që ai të mos largohet apo të fshihet derisa vendimi të ketë marrë formë të prerë, duhet të qëndrojë në burg. Mirëpo gjykata nuk e ka tagrin ligjor të ashpërsojë masën e sigurisë, ndaj gjyqtari ka qenë i detyruar të miratojë po të njëjtën masë, të kërkuar nga SPAK.

 


GJYKATA E POSAÇME

 

Gjykata mban parasysh faktin se personi nën hetim Ilir Beqaj vijon që të ushtrojnë funksione publike dhe ekziston rreziku ai të abuzojë me detyrën sikurse në mënyrë të “hapur dhe flagrante” në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore ka vepruar në procedurën e konҫesionit. Kjo shton rrezikun e përsëritjes të të njëjtës vepër penale. Gjykata vlerëson se për personin nën masa më e përshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprave dhe autorit në rastin konkret, është ajo e “Arrestit në burg”. Roli,  përgjegjësia dhe intesiteti i shkeljeve të kryera nga personi nën hetim Ilir Beqaj është më i madh se i personave nën hetim Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj, për të cilët prokuroria ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg” . Këtu duhet theksuar fakti se cilësimi juridik i faktit penal i bërë nga prokurori dhe i sjellë për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak, ëshë i gabuar.

 

Ndërsa për ish- ministrin e Financave, Shkëlqim Cani gjyqtari argumenton se ka asistuar në krimin e dyshuar.

 

GJYKATA E POSAÇME

 

Gjykata çmon të theksojë se ish- Ministri i Financave z.Shkëlqim Cani në rastin konkret ka vepruar me dashje, pasi nuk ka asnjë arsye objektive e të përligjura që për të njëjtin studim fizibiliteti brenda një harku kohor prej 1 muaj e 15 ditë, të ketë dy përgjigje diametralisht të kundërta. Ish Ministri i Financave z. Shkëlqim Cani ka ndihmuar në realizimin e qëllimit kriminal të personit nën hetim Ilir Beqaj dhe vartësve të tij. Në rastin konkret personi nën hetim Ilir Beqaj ka shërbyer si shtytës, ndërsa z. Shkëlqim Cani në rolin e ndihmësit.

 

Dëmi në buxhetin e shtetit që ka përllogaritur Kontrolli i Lartë i Shtetit për koncesionin e sterilizimit është 8 miliardë 690 milionë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *