Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë takimeve në kuadër të turit të llogaridhënies në qarkune Korcës u tha qytetarëve se arsyeja e ballafaqimit me ta nuk është as të bëjë propagandë politike apo propagandë suksesesh, por kjo qeveri ka nevojë të kuptojë se çfarë duhet të bëjë më mirë.
“Këto takime janë mundësia që ju të na thoni se çfarë nuk po bëjmë siç duhet. Si po sillemi ne përkundrejt shërbimeve që duhet t’ju afrojmë? Si po sillen zyrat tona të shtetit? Sa arrini të zgjidhni problemet? Kush ju ka zvarritur? Pse ju ka zvarritur? A arrini të gjeni të drejtën tuaj sa herë trokisni?A ua qajnë hallin edhe kur nuk kanë mundësi tua zgjidhin? A bëjnë çmos që t’ju shërbejnë ashtu siç duhet të shërbejë një nëpunës i shtetit, një përfaqësues i jonë në zyrat e shtetit? Përfaqësuesi jonë jo i partisë! Të gjitha këto janë gjëra që kryeministri i ka me shumë merak , kjo qeveri i ka me shumë merak, për të bërë maksimumin për të çrrënjosur atë sistemin e vjetër ku gjërat funksiononin vetëm me taraf, me miqësi me ryshfet”.
Banorët kanë shprehur shqetësim për aksin Milot-Burrel-Klos-Peshkopi, për të cilin zv.ministri I infrastrukturës Artan Shkreli u shpreh se do të ketë një rehabilitim të kësaj rruge deri sa të bashkohet me rrugën e Arbrit.
Një çështje e ndjeshme e banorëve të Klosit ishte ajo e statusit të minatorit, për të cilin ministrja Xhaçka garantoi se shumë shpejt do të ketë zgjidhje përfundimtare.
“Çështja e statusit të minatorit nuk ka patur asnjëherë mungesë vullneti nga ana jonë. Kemi qenë gjithmonë ne që e kemi adresuar problematikën e minatorëve si kategori. Sot kjo çështje ka hyrë në rrugë të mbarë. Po diskutohet, po shqyrtohet dhe shumë shpejt do të dalim me një draft që sërish do t’i hyjë një konsultimi publik për të marrë edhe dakordësinë tuaj”.






