Spitalet private në Shqipëri shkelin hapur ligjin e sëmundjeve infektive dhe trajtojnë pacientët me Covid-19 kundrejt shumave marramendëse. Ligji për sëmundjet infektive parashikon qartë mënyrën e trajtimit të pacientëve në situatë epidemike. Neni katër i tij thekson se mjekimi duhet të jetë tërësisht falas në çdo strukturë qofshin këto shtetërore apo private:
-
dh) çdo person ka të drejtë të përfitojë nga masat për mbrojtjen nga sëmundjet infektive;
-
e) çdo person i sëmurë nga sëmundjet infektive me karakter epidemik ka të drejtën dhe detyrimin të mjekohet falas në çdo institucion shëndetësor publik apo jopublik;
Por në realitet ndodh krejt e kundërta . Spitalet private në Shqipëri kanë sot një fluks të madh pacientësh në faza të ndryshme të sëmundjes dhe zhvasin xhepat e qytetarëve duke përfituar nga pandemia. Vetëm një natë akomodimi në spitalet private kalon shumën e 2000 eurove pa llogaritur trajtimin me medikamente. Një tjetër shqetësim është edhe mungesa e kapaciteteve për pritjen e pacientëve me covid.
Janë mijëra pacientë që janë trajtuar gjatë afro një viti në 4 strukturat covid në Tiranë si dhe në 3spitale rajonale me pavionet e dedikuara. Por shumë pacientë kanë zgjedhur shërbimin privat. Por pavarësisht shkeljes së hapur të ligjit të sëmundjeve infektive institucionet shtetërore nuk kanë marrë asnjë masë ndaj spitaleve private.