Spiropali synon karrigen e Ramës? Kërkon qeverinë për 100 ditë, u dorëzon planin deputetëve

Deputetja socialiste Elisa Spiropali u ka dërguar një email 140 deputetëve të Kuvendit, përmes të cilit prezanton një draft për reformë të thellë kushtetuese dhe zgjedhore, si dhe një mocion mosbesimi që parashikon kalimin e drejtimit të Ekzekutivit tek ajo përmes një programi tranzitor 100-ditor.
Në draftin e propozuar, Spiropali kërkon ndryshime në sistemin politik dhe mënyrën e përfaqësimit parlamentar, duke përfshirë rritjen e numrit të deputetëve në Kuvend nga 140 në 201.
Një tjetër pikë e paketës është vendosja e listave 100% të hapura, me synimin për të forcuar përfaqësimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe ndikimin e votës parapëlqyese në zgjedhjen e deputetëve.
Drafti parashikon gjithashtu kufizimin e mandatit të deputetëve në maksimumi tre mandate. Përjashtim do të përbënin kandidatët që renditen mes 50% të kandidatëve me më shumë vota parapëlqyese në qarkun përkatës, të cilët do të mund të kandidonin edhe për një mandat të katërt.
Në draftin e propozuar përfshihet edhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate radhazi, me një periudhë ndërprerjeje të përcaktuar në Kushtetutë.
Sa i përket zgjedhjes së kreut të ri të qeverisë, drafti parashikon që kryeministri të marrë mbështetjen e të paktën 104 deputetëve, pra më shumë se 103 vota, për të siguruar një konsensus më të gjerë parlamentar.
Përmes këtij komunikimi, Spiropali u bën thirrje deputetëve që t’i bashkohen nismës si bashkëpropozues, duke e paraqitur paketën si një ndryshim në funksion të interesit publik.
Një ditë më parë, në letrën e saj të hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama, Spiropali kërkoi një zgjidhje politike për protestën, dialog me qytetarët dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes.




