Drejtuesja politike e PS për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali është e bindur se socialistët do të marrin 20 mandate në zgjedhjet e 25 prillit.

E ftuar në emisionin “7pa5”, Spiropali shprehet e sigurt se për herë të parë, PS do të fitojë edhe Kamzën në këto zgjedhje parlamentare. Teksa tha se Kamza është kthyer në një kantier të madh ndërtimi, Spiropali foli për ndryshimet rrënjësore që sipas saj kanë pësuar qeverisjet lokale falë angazhimit dhe punës së Rilindjes.

“Një fushatë e çuditshme, por e bukur. Ka shumë gjëra të pabëra. Ish-kreu i Bashkisë së Kamzës është një harbut. Kamza është kthyer në një kantier të madh ndërtimi. Në Paskuqan, Bathore po punohet për fëmijët e periferisë, duhet të kenë të njëjtat shanse me ato të qendrës.  Ne e kemi ndryshuar rrënjësisht qeverisjen lokale. Por ne do të fitojmë 20 mandate në qarkun e Tiranës. Për herë të parë ne do të fitojmë edhe Kamzën. Kamza do të ketë infrastrukturën më të mirë arsimore në Shqipëri. Kemi punë të mëdha e nuk duam t’i lëmë në mes. Nuk mund të kthehet pas.”

Më tej, ministrja argumentoi pse qytetarët duhet t’ia besojnë votën Ramës edhe në këto zgjedhje.

“Ata luftojnë për karrigen e tyre. Janë të njëjtë njerëz për 30 vjet që vetëm kanë marrë, e nuk kanë dhënë. Na duhet Edi Rama për mandatin e tretë, për projektet e mëdha të infrastrukturës, të mbyllim procesin e vaksinimit, të përmbyllim rindërtimin. Na duhet Rama që të vijojmë për arsimin. Për të realizuar vizionin tonë për Shqipërinë evropiane. Unë do të luftoj jo vetë për periferinë, por edhe për ata që janë në periferinë e vendimmarrjes. Qëllimi im është që të fitojmë në ato zona që historikisht  kanë qenë të abuzuara e të dhunuara, ku njerëzit janë trajtuar si plaçkë e pronë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *