Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shfrytëzuar takimin me gazetaret në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë së vendit për te konfirmuar se gjykata special do te mbetet ne fuqi pavarësisht se e konsideron padrejtësi themelimin e saj. Presidenti Thaçi ka thënë se “askush nuk është më i qartë sesa ai” për këtë çështje.

 

“Unë nuk mendoj se ka qenë dikush më i qartë sesa unë. Prej fillimit të diskutimit të këtij procesi e kam thënë se është një padrejtësi historike themelimi i Gjykatës Speciale. Në veçanti kur Tribunali i Hagës sapo është mbyllur. Mbi të gjitha, Kosova ka kaluar te ky Tribunal, tek UNMIK-u dhe tek EULEX-i. Kosova është mbrojtur përballë Milosheviçit. Dhe vjen një raport më i rëndësishëm sesa 400 masakra të kryera në Kosovë. Por, duke pasur parasysh rrethanat që janë krijuar dhe pozicionin e shtetit tonë, por edhe ruajtjen e partneritetit me NATO-n e Shtetet e Bashkuara, kam marrë përgjegjësinë që të diskutojmë të gjitha mundësitë e atij raporti, që për mua është fantastiko-shkencor”.

 

Nga ana tjetër edhe kryeministri Haradinaj i pyetur nga  Dojce vele ka thënë se ajo që po ndodh me gjykatën nuk është diçka e re. Haradinaj deklaroi se nuk beson që do të ketë sukses nisma e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e kësaj gjykate, e shtoi se personalisht nuk i frikësohet Speciales. Madje ai tha se është i gatshëm të paraqitet vullnetarisht nëse do t’i kërkohet një gjë e tillë, ashtu siç veproi në vitin 2004 në Hagë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *