Disa nga tre milionë refugjatët ukrainas që kanë arritur t’i shpëtojnë luftës tani po lëvizin përtej Polonisë dhe Evropës Lindore në skajet më të largëta të kontinentit. Ata po shkojnë edhe në Spanjë, ku tashmë ndodhet një komunitet me 100,000 ukrainas. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Alfonso Beato bisedoi me disa refugjatë ukrainas në rajonin e Katalonjës.

 

Qeveria spanjolle nuk ka një shifër të saktë të refugjatëve ukrainas që kanë mbërritur në Spanjë. Shumë prej tyre kanë lidhje familjare në vend dhe përdorin këtë rrjet për të gjetur mbështetje.

 

Përgjigja e Bashkimit Evropian ndaj refugjatëve ukrainas është shumë e ndryshme nga ajo ndaj fluksit të refugjatëve sirianë. Këtë radhë, vendet anëtare të BE-së kanë vendosur të aktivizojnë një ligj që do t’u lejojë ukrainasve të marrin leje qëndrimi për të paktën një vit.

 

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka bërë thirrje për një marrëveshje midis rajoneve të Spanjës për t’u marrë me krizën humanitare.

 

“Duhet të kemi një marrëveshje për të bashkëpunuar në akomodimin e refugjatëve që Spanja po i pret tashmë, si shumë vende të tjera, përballë krizës më të madhe humanitare që Evropa po përjeton që nga Lufta e Dytë Botërore. Tre milionë njerëz tashmë janë të zhvendosur”, tha ai.

 

Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, më shumë se 100,000 ukrainas janë vendosur në Spanjë. Ata që vijnë tani kërkojnë mbështetjen e të afërmve në vend, veçanërisht në qytetet si Gisona në verilindje të Spanjës, ku një në shtatë banorë është ukrainas. Qeveria ka marrë masa që fëmijët të shkojnë në shkollë.

 

“Katalonia ka vendosur tashmë protokollet për përfshirjen e këtyre djemve dhe vajzave në shkolla dhe ata tashmë po ndjekin mësimet në shkollat tona”, tha kryebashkiaku i qytetit të Gisonas, Jaume Ars Bosch.

 

Tetiana Miakotina ka ardhur me djalin e saj për të vizituar një mjek. Ata mbërritën pas një udhëtimi dhjetë-ditor nga Kievi, pas fillimit të bombardimeve ndaj kryeqytetit ukrainas.

 

“Kur udhëtuam nëpër territorin e Ukrainës, kaluam shumë pika kontrolli. Në të gjitha pikat e kontrollit po verifikonin dokumentacionin dhe për këtë arsye udhëtimi ynë ishte shumë i gjatë. Ne i kalonim netët në vende të fshehura për shkak të bombardimeve të shumta. Gjatë këtyre netëve ne ishim me fëmijët në objekjte të nëndheshme për të shpëtuar nga bombardimet”, thotë ajo.

 

Burri i saj qëndroi në Kiev për shkak të një urdhri qeveritar që e ndalon largimin e burrave të moshës 18 deri 60 vjeç nga Ukraina, në mënyrë që ata të mund të mbrojnë vendin.

 

Banori i Gisonas, Mykola Grynkiv, e ka kthyer kafenenë e tij kibernetike në një depo të ndihmave humanitare. Në lokalin e tij ai tani po organizon dërgesat e ndihmave me kamionë në Ukrainë.

 

Ai po punon për të mbledhur gjërat thelbësore si ilaçet, në mënyrë që Ukraina të mund të shpenzojë më shumë nga burimet e saj për të blerë armë për t’u mbrojtur.

 

“Ata kanë nevojë për shumë municion ushtarak. Njerëzit e zakonshëm nuk mund ta blejnë atë, Ukraina duhet ta bëjë këtë në marrëveshje me qeveritë e tjera. Nëse ndihmojmë me ilaçe, ne mund të lirojmë fondet e qeverisë sonë”, thotë ai.

 

Ata që mbërrijnë në Gisona mund të kërkojnë punë menjëherë, pasi ky është një qytet që punëson më shumë se 5000 njerëz në bujqësi dhe ku shumë ukrainas tashmë punojnë./ Voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *