Spanja shton ditët e karantinës, zgjat masat ekstreme deri në 26 prill

Spanja vijon të mbetet vendi i parë në Europë me numrin më të lartë të të prekurve me COVID-19. Kryeministri Pedro Sanchez njoftoi zgjatjen e gjendjes së emergjencës deri në 26 prill. Ai u tha qytetarëve se “vendi po përballet me krizën më të madhe”.
Gjendja e emergjencës ishte parashikuar të zgjaste deri më 11 prill, por sipas gjasave qeveria do t’i kërkojë parlamentit spanjoll që të miratojë zgjatjen e masave.
“Javët me kufizime të rrepta na presin. Ne i kërkojmë familjeve të qëndrojnë në shtëpi. Të rinjve, të vazhdojnë të studiojnë me qëllim të mbajtjen e të njëjtit ritëm. Të moshuarve, të mbroheni”, tha Sanchez, ndërsa paralajmëroi se qeveria po përgatit planin për rifillimin e aktivitetit ekonomik dhe shoqëror, menjëherë pasi kurba të shënojë rënien graduale.
Ndërkohë në Itali, autoritetet në rajonin verior të Lombardisë po urdhërojnë të gjithë qytetarët të mbajnë maska kur dalin jashtë. Presidenti i rajonit, Attilio Fontana, tha se të gjithë qytetarët janë të detyruar të mbulojnë “hundën dhe gojën me maska, apo edhe përmes shalleve të thjeshta kur të dalin nga shtëpia, deri në 13 prill.
Britania e Madhe ndërkohë është pajisur me 300 ventilatorë nga Kina, në përpjekje për të kuruar pacientët e infektuar. Aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar më shumë se 4000 njerëz kanë humbur betejën me sëmundjen dhe më shumë se 42 mijë të tjerë janë infektuar.
Situata paraqitet kritike edhe në Francë. Vendi ka raportuar më shumë se 1000 viktima orët e fundit, ndërsa te prekurit janë rritur në mbi 89 mijë.
Edhe në Gjermani dhe vende të tjera të Europës, numri i viktimave dhe i të prekurve nga virusi është shtuar ndjeshëm.




