Subscribe

Për herë të parë pas 25 ditësh, lideri i opozitës Sali Berisha doli nga izolimi në shtëpi, për të shkuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

I shoqëruar nga oficerët e policisë ish-kryeministri Berisha së bashku me avokatët e tij, në orën 10.00 është paraqitur në SPAK për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Lexo edhe :

Related Posts

Lideri i opozitës Berisha qëndroi përballë prokurorëve Arben Kraja e Enkelejda Millonai përreth 2 orë. Në fund të seancës së marrjes në pyetje Berisha para gazetarëve përsëriti të njëjtat akuza kundër SPAK-ut dhe dy prokurorëve të çështjes, duke i krahasuar edhe me prokurorët e Koresë së Veriut.

“Sapo përfundoi seanca e takimit me anëtarët e grupit të strukturuar kriminal të SKAP-it të partisë, Altin Dumani në mungesë, Arben Kraja i pranishëm, Enkeleda Millonai e pranishme. Të dashur miq, gjeta aty një grup të terrorizuar. Në një karrige bosh qëndronte McGonigal, në karrigen tjetër ishte ulur Edi Rama dhe unë, në emër tuaj dhe të PD…”, tha Berisha.

Para gazetarëve ish-kryeministri Berisha zbardhi edhe disa detaje nga seanca e marrjes në pyetje.

“Nuk u mor vesh se kush drejtonte më shumë, ata mua apo unë atyre. Pyetje konkrete? Kishin marrë një listë personash, a i njeh ti këta? Se nga e kishin marrë listën, nga zyrat e Ramës, apo nga e kishin marrë”, tha ish-kryeministri.

Berisha sqaroi se pyetjet e prokurorëve lidheshin kryesisht me miratimin e dy vendimeve të këshillit të ministrave në kohën kur ai ishte kryeministër si dhe ndryshimin e ligjit për sportin.

“Pyetje tjetër. Pse u ndryshua ligji 2007-2008. Ligji i 2005, në përputhje me ligjin e pronave të 2004, neni 7 i këtij ligji shkruan: Pronat që nuk kthehen, dhe rreshton të gjithë kategorinë e pronave që disponohen, publike dhe shtetërore nga shteti. Por në nenin 2 thotë, se në nenin një pronat e rreshtuara nga pika a në pikën b, në rast se propozohen për tjetërsim i kalohen të shpronësuarit. Këtu merr fund çdo lloj procedure tjetër. Fillimin e tjetërsimit të pronës së Klubit Partizani e nisi qeveria e Fatos Nanos me Anastas Angjelin dhe Blendi Klosin”, tha Berisha.

Rreth orës 12.20 lideri i opozitës Sali Berisha u kthye në banesën e tij, duke paralajmëruar se pavarësisht izolimit të tij Partia Demokratike do ta fitojë betejën përballë kryeministrit Edi Rama.

“Opozita do të fitojë betejën”, tha lideri i opozitës.

Mirëpo beteja ligjore e Berishës do të vijojë në gjykatën e apelit të Posaçëm, ku do të jetë pikërisht gjyqtarja Ilirjana Olldashi ajo që do të vendosë nëse do ta nxjerrë apo jo nga izolimi në shtëpi. Vetë Berisha deklaroi se do të paraqitet në institucionet e drejtësisë sa herë që të thirret./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *