SPAK shpalos strategjinë: Ja si do të ndalim vjedhjen e votës

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) do të monitorojë këtë vit zgjedhjet e përgjithshme nga afër, ku agjentët e saj do të zbresin në terren për të verifikuar dhe më pas ndaluar çdo parregullsi ndaj procesit zgjedhor.
SPAK ka publikuar ditën e sotme edhe strategjinë për hetimin dhe parandalimin e Krimit Zgjedhor për zgjedhjet e 11 majit.
SPAK do të monitorojë nga afër sponsorizimet e dyshimta të partive politike, si dhe raportimet në media për ndonjë shkelje të mundshme.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme publikon “Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor: Zgjedhjet për Kuvendin 2025”, e cila mbështetet në:
Verifikimin në terren të indicieve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.
Verifikimin e raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme.
Monitorimin e mediave dhe rrjeteve sociale për indicie të mundshme në kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve.
Bashkëpunimin ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë e Shtetit, organizmat ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore, etj.




