Thyhet një nga rrjetet më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës. SPAK thotë se 6 tonë kokainë të sekuestruara, ndër më të lartat të kapura ndonjëherë, kapin vlerën marramendëse, 411 milionë euro.
Për 16 personat e dyshuar është kërkuar arrest në burg, ndërsa hetimi nisi nga aplikacioni SKY ECC.
Lexo edhe :
Related Posts
Prokuroria thotë se nëntë persona janë proceduar më herët, gjashtë të tjerë u identifikuan në korrik, ndërsa njëri u shpall në kërkim.
Vizion Plus siguron emrat e gjashtë personave të arrestuar. Ata janë Artur dhe Klevis Hoxhosmani, Ermir Ndreaj pronar i disa bizneseve, Erion Alibej i penduari i drejtësisë, Plarent Dervishaj, i burgosur për atentatin e ish- prokurorit Arjan Ndoja dhe Ilir Lloshi.
Prokurorët e Posaçëm, Altin Dumani dhe Adnan Xholi thonë se struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente është dëshmi e nivelit të lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare.
SPAK: Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirëorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.
Në total janë tetë episode të dokumentuara të trafikut të drogës, të shtrira në 2020-2021. Kështu, në shkurt të 2020 në Spanjë është kapur 400 kg kokainë, në Belgjikë 981, në Kanalin mes Francës e Mbretërisë së Bashkuar është sekuestruar 250 kg. Dy sasi rekord janë ato të Holandës, njëra, 200 kilogramë dhe tjetra 1484 kg. Të njëjtit grup, sipas SPAK, i janë sekuestruar edhe 675 kilogramë hashash.
SPAK: Organizimi i grupit ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara. Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi. Shumica e tyre jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Poshtë tyre vepronin bashkëpunëtorë që siguronin logjistikën dhe transportin, njofton prokuroria.
SPAK: Këta persona gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao. Ky grup kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Po aq e sofistikuar ishte edhe mënyra e kryerjes së pagesave për të shmangur sistemin tradicional bankar.
SPAK: Sistemi informal i pagesës Haëala. Ky mekanizëm mundësonte transferimin e shumave të mëdha te parave midis vendeve të ndryshme pa kaluar përmes kanaleve financiare formale, duke shmangur kështu gjurmët zyrtare të transaksioneve.
Nëse akuzat provohen përfundimisht, 19 karta bankare, tre automjete të shtrenjta, një skaf luksoz i 2025, para, një orë Rolex, një tjetër Richard Mille, dronë, celularë, armë, etj do te konfiksohen. Ky operacion është një nga goditjet më të mëdha të strukturës antikorrupsion./vizionplus.tv






