SPAK mbyll hetimet per dosjen tjetër të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për abuzim me fondet e Bashkimit Europian.
Ndaj tij, Prokuroria e Posaçme ka ngritur katër akuza, për korrupsion, fshehje pasurie, mashtrim dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera kryer këto vepra në bashkëpunim.
Sipas SPAK bashkëpunuesit në zhvatjen e parave janë edhe katër persona të tjerë, Ermal Kurtulaj, Bledar Leka, Gazmend Haxhia dhe Mira Topçiu.
Sipas prokurorisë që e ka vënë nën akuzë Beqaj kishte ngritur një skemë korrupsioni duke dërguar para në drejtim të kompanive që do të përfitonin tenderat publikë.
Përfituesit e tyre ishin persona pranë Beqajt, që merrnin tendera në mënyrë të jashtëligjshme.
Njëherësh sipas SPAK ai ka kryer mashtrim duke fryrë faturat e duke mos kryer shërbimet për të cilat Bashkimi Europian paguante.
Ndërkaq, Ilir Beqaj, do të përballet me Gjykatën e Posaçme edhe për një tjetër akuzë, në një tjetër dosje.
Për Prokurorinë Speciale ai ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën gjatë kohës kur drejtonte ministrinë e Shëndetësisë për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, një konçesion me vlerën e 100 milionë eurove.
Ilir Beqaj është funksionari i parë publik i akuzuar per grup kriminal me biznesmenin Ilir Rrapaj dhe vartësin e tij, Klodian Rrjepaj./vizionplus.tv