Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, është arrestuar sot me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ish-zyrtarit të lartë gjatë mandatit të parë kur Edi Rama bashkëqeveriste me Ilir Metën, iu vënë prangat në qytetin e Durrësit gjatë paradites.

Ishin Forcat Operacionale që arrestuan Lefter Kokën për shpërdorimi detyre, pastrim parash dhe korrupsion për çështjen e inceneratoreve. Urdhri i arrestit mban firmën e prokurorit Klodian Braho dhe gjyqatarit Erion Bani.

Përveç ish ministrit të mjedisit, pritet edhe arrestimi i pese personave të tjerë, identiteti dhe pozicioni i tyre në aferën e inceneratoreve nuk bëhet i ditur.

 

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 25 Prillit, Lefter Koka kandidoi për deputet në siglën e Partisë Socialiste gjashtë muaj pasi deklaroi zyrtarisht largimin nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

 

Pasi e fitoi mandatin e deputetit për qarkun e Durrësit, nëntë ditë para se të betohej në parlament, ai dha dorëheqjen. Në atë kohë deklaroi se, si arsye të dorëzimit të mandatit ishte përfundimi i ciklit të tij politik për t’ia lenë vendin brezit të ri.

 

Gjatë karrierës së tij politike, përveç se ish deputet i LSI-së, ai ka qenë edhe kryebashkiak i Durrësit, gjatë periudhës 2003-2007. Më pas, ai ka qenë Ministër i Mjedisit gjatë periudhës 2013-2017, pjesë e kabinetit qeveritar të “Rama 1”.

 

Nga ish partia e tij, Lëvizja Socialiste për Integrim, Lefter Koka është kallëzuar penalisht në SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme tre herë.

 

Padia e parë ajo e 4 marsit të këtij viti është për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera për dhënien me koncesion për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe vend-depozimin ekzistues në Tiranë. Paditësi që është kryetarja e LSI-, Monika Kryemadhi pretendon se procedurat për dhënien me koncesion janë në kundërshtim me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat.

 

26 ditë më pas, në 30 mars LSI dorëzoi një tjetër kallëzim penal në SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Akuza ndaj Lefter Kokës ishte përveç për shpërdorim detyre, shkelje në barazinë e tenderave por edhe për fshehjen e të ardhurave, këtë herë për inceneratorin e Elbasanit.

 

E fundit padi është ajo në tetor, për inceneratin e Fierit, ku ish Ministri i Mjedisit akuzohet nga LSI për të njëjtat vepra penale, për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera
Në paditë e depozituara nga LSI në SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme, janë kallëzuar për të ashtuquajturën aferë të inceneratorëve edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ai i Fierit, Armando Subashi, ish-zyrtar i lartë i ministrisë së Mjedisit Albi Bllako si dhe sekretari i përgjithshëm i këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi.

 

Lefter Koka nuk ështa paditur vetëm nga LSI por edhe nga Partia Demokratike në SPAK për të njëjtat akuza.

Leave a Reply

Your email address will not be published.