Kreu i SPAK, Altin Dumani, mohon akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha, se Zaho Koka ka denoncuar Ols Ramën në BKH.
Në reagimin e tij SPAK informon zyrtarisht se personi i sipërpërmendur nuk është denoncuar në BKH.
Dumani sqaron se përmes një shkrese që mban datën 13 janar i ka kërkuar BKH informacion nëse ka patur ose jo kallëzim ndaj Ols Ramës.
Reagimi:
Në përgjigje të interesit tuaj: Nisur nga deklarata e bërë në media, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Z. Altin Dumani i është drejtuar Drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përmes një shkresë më dt. 13.01.2025, për të bërë verifikimet e nevojshme, nëse është dërguar në BKH ndonjë shkresë nga shtetasi i përmendur si Zaho Koka, ku jepet informacion për shtetasin Ols Rama, si edhe rrëmbimin e një biznesmeni me inicialet V.B
Përmes kësaj shkresë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z.Altin Dumani ka kërkuar nëse është dërguar një informacion i tillë, është rregjistruar apo caktuar ndonjë hetues i BKH-së (cili prej tyre) dhe nëse është bërë verifikimi i tij. Z.Dumani ka kërkuar gjithashtu të informohet nëse kanë përfunduar verifikimet e kryera dhe cila është procedura. Më datë, 14.01.2025, Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes një shkresë sqaroi se:
“Nga verifikimet e kryera në Sekretari,Protokoll rezulton se në Byronë Kombëtare të Hetimit nuk ka ardhur letër, kallëzim apo denoncim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka.”