SPAK: Gazment Bardhi nuk ka bërë kallëzim për Olsi Ramën

Zhvillime të reja dalin lidhur me çështjen Olsi Rama dhe Gazment Bardhi.
Vizion Plus mëson se në Prokurorinë e Tiranës nuk është depozituar asnjë kallëzim nga Gazment Bardhi për vëllain e kryeministrit, Edi Rama.
Më herët u aludua se Bardhi paditi Olsi Ramën për përfshirje në grupin e Xibrakës, por një gjë e tillë nuk figuron në Prokurori.
Për rrjedhojë Prokurori është shprehur se as Olsi Rama nuk mund të bëjë padi për shpifje kundrejt Bardhit, për sa kohë që nuk ka kallëzim.
“Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera me datë 03.04.2024 është kërkuar informacion nga zyra e Regjistrit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nëse nga ana e shtetasit Gazment Bardhi është depozituar kallëzim penal ndaj shtetasit Ols Rama. Me shkresen nr 5383/1 datë 15.04.2024, (kthim përgjigje), zyra e rregjistrit dhe statistikes në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas verifikimeve te kryera, ka kthyer këtë përgjigje: Në regjistrin e njoftimit të veprave penale, informohet se nuk rezulton që të jetë rregjistruar ndonjë kallzim penal me kallëzues shtetasin Gazmend Bardhi dhe të kallëzuar shtetasin Ols Rama” thuhet në SPAK.
Disa ditë më parë, Bardhi deklaroi se Olsi Rama ishte i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë. Sipas Gazment Bardhit, nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton gjithashtu se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj kanë përdorur disa herë, së bashku dhe veç e veç, automjetin me targa AA653DM.
“Kreu i organizatës që trafikonte drogë nga Shqipëria në Gjermani ishte mik i Olsi Ramës. Nuk jam këtu për të hedhur baltë siç i pëlqen ta quajë Edi Rama. Jam këtu të sjell fakte dhe rrethana që nuk u hetuan asnjëherë. Në dosje është hapur një procedim që të gjejë identitetin e tij, i cili konsiderohet në dosje si”Bashkëpuntori i paidentifikuar”. Krahas personave të arrestuar policia ka vendosur të procedojë “bashkëpunëtorin e paidentifikuar” për të cilin thotë se kishte nevojë hetime të tjera”, tha Bardhi.
Laboratori i drogës në Xibrakë:
Grupi i drogës “Xibraka” u zbulua në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni të policisë të asistuar nga agjentë të policisë gjermane, ku u sekuestrua sasia rekord e kokainës prej 100 kg. Droga u gjet në një magazinë në fshatin Xibrakë 10 km larg qytetit të Elbasanit. Tetë persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë.
Në kërkim u shpall Genci Xhixha, i cili njihet si kreu i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë dhe më gjerë. Hetimet nisën pas informacionit të përcjellë nga autoritetet gjermane që në datën 17.12.2014, për trafik kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë.
“Sot kam depozituar në SPAK kallëzimin për deputetin e paturpshëm Gazmend Bardhi, i cili ka cënuar publikisht nderin dhe dinjitetin tim publik, si individ, prind dhe drejtues i një klubi të mirënjohur futbolli, duke shpikur një lidhje totalisht inekzistente mes meje dhe një grupi trafikantësh të drogës”, njofton Olsi Rama.
“Unë nuk jam politikan dhe s’kam asnjë lidhje tjetër me politikën, përveçse si votues i tim vëllai ashtu si qindramijëra të tjerë dhe arsyeja kryesore e neverisë time të hershme me politikën është pikërisht kthimi i shpifjeve në një normalitet të jetës publike. Uroj shumë që SPAKU, tek i cili bashkë me plot të tjerë kam edhe unë besim, si diçka ndryshe në zullumin kaq vjeçar të drejtësisë, të mos e çojë kallzimin tim në koshin e madh të këtij normaliteti absurd, që po shkatërron fare bazën elementare të besimit tek fjala dhe të vërtetat e këtij vendi. Pra po shkatërron vetë shoqërinë dhe po hedh në erë në mënyrë të pariparueshme themelet e edukatës për rininë.
Jam i gjithi në dispozicion të hetimit të atyre që deputeti i pacipë i quan prova mbi përkatësinë time në një grup kriminal trafikantësh droge, ndërsa unë nuk mund t’i quaj ndryshe përveçse si shpifje për një fabrikim pervers me qëllim manipulimin e opinionin publik, për motive të dobëta politike.
Troç fjala këtu s’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht dhe dënohet si fabrikues provash në dëmin tim, të fëmijëve të mi, të klubit të futbollit “Partizani”, të miqve të mi dhe të njohurve të mi.
Solidariteti i këtyre të fundit gjatë këtyre ditëve më lumturon, po nuk më mjafton. Shoqëria duhet të dijë të vërtetën dhe duhet ta mësojë nga drejtësia. Shqipëria s’mund të ketë një kryeministër që e ka vëllain një trafikant droge që lëviz i lirë nëpër Tiranë. Sikur edhe vetëm një shqiptar i ndershëm të gënjehet nga kjo maskaradë dhe ta besojë këtë çmenduri, të cilën as vetë sharlatani që e ka hedhur në pazarin e llafeve nuk e beson, kjo mjafton që drejtësia të mos heshtë duke e nënvleftësuar peshën e kësaj poshtërsie si as e para dhe as e fundit.
Dikush, dikur, diçka, duhet të bëhet sebep që ky turp kombëtar i pashoq me asnjë vend në Europë – ku njerëz me mandate nga populli, me një mikrofon në ekran apo me një portal në internet gënjejnë e sajojnë po aq shumë sa marrin frymë – të goditet nga e vërteta e drejtësisë së re. Nëse është vërtetë e re natyrisht”, shprehet ai.
/vizionplus.tv.




