Subscribe

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.

 

Në Gjykatën e Posaçme është dërguar gjithashtu bashkëpunëtori i Belerit Panedeli Kokaveshi. Ky i fundit është liruar nga qelia për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa Beleri vijonë të mbetet në burg.

 

Sipas hetimeve të SPAK, Beleri dhe Kokaveshi akuzohen për korrupsion  në zgjedhje e kryer në bashkëpunim.

 

Nga përgjimet audiovizive, nga kqyrja e telefonave, por edhe nga dëshmite e disa personave, SPAK shprehet se është provuar se Beleri i ka ofruar Arsen Ramës 50 euro për çdo votë që do të siguronte në zgjedhjet lokale të 14 majit. Ndër të tjera hetuesit shprehet se i zgjedhuri kryebashkiak i Himares ndër të tjera i ka premtuar Ramës si shpërblim për punen qe do te kryente shumën 300 euro.

 

Sipas prokurorise se posacme Frediu Beleri i ka dhënë shuma monetare Arsen Ramës, konkretisht tetë kartëmonedha të prerjes 5 mije lekeshe për të blerë votat e tetë qytetarëve.

 

Edhe pse është arrestuar dy ditë përpara zgjedhjeve, Beleri ende nuk ka arritur që të betohet si kryebashkiaku i ri i Himarës.Më 25 korrik ai humbi betejën edhe në Gjykatën e Lartë, e cila la në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm.

 

NJOFTIMI I SPAK

Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.111 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 31.07.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:
1.Dhionisios Alfred Beleri, akuzuar për veprën penale veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328 e 25 i Kodit Penal.
2. Pandeli Kokaveshi, akuzuar për veprën penale veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328 e 25 i Kodit Penal.
Nga analiza një nga një dhe në unitet e provave të administruara gjatë hetimit, sikurse janë të dhënat e përftuara nga përgjimet audio/video, nga kqyrjet e telefonave, nga kqyrjet e akteve të ekspertimit kompjuterik, nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale etj, rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023, ndërsa vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.
I pandehuri Dhionisios Alfred Beleri ia ka dhënë shumat monetare Arsenit nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv dhe ky i fundit i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri.
Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare shtetasit Arsen Rama në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023.

Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *