Nënkryetari i PD, Edmond Spaho zbuloi qëndrimin e opozitës lidhur me tubimin që presidenti Ilir Meta mbajti në 2 mars në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

 

Gjatë një interviste për “Vizion Plus”, Spaho u shpreh se selia blu është në mbështetje të presidentit sepse ai po mbron Kushtetutën. Sipas tij, lëvizja e kreut të shtetit rezultoi e suksesshme dhe ja arriti qëllimit. Spaho shtoi se mometalisht vëmendja e opozitës është e përqendruar e gjitha tek hapja e negociatave dhe reforma zgjedhore.

 

Intervista e plotë:

 

-Si do tu përgjigjeshit atyre që shkruajnë se PD mori pjesë në manifestim, por pa ndonjë entuziazëm për nismën e presidentit?

 

Ne i kemi mbështetur prej kohësh lëvizjet e Presidentit në mbështetje të Kushtetutës, për moskapjen e institucioneve, Gjykatës Kushtetuese më së fundi, por edhe për mos marrjen e kompetencave të presidentit. Ju bëmë thirrje të gjithë mbështetësve tanë disa herë nga të gjitha nivelet e drejtitmit të PD që të marrin pjesë në protestë sepse këto janë çështje dhe shqetësime të opozitës. Duhet të marrim në konsideratë që kjo ishte një lëvizje qytetare dhe më shumë sesa çështje organizimi, ishte çështje ndërgjegjësimi. Kjo ishte një lëvizje qytetare dhe mendoj që ja arriti qëllimit.

 

-Thuhet që opozita e ka një lider të ri dhe ky është Ilir Meta. A është xheloze PD?

 

Presidenti e ka qartësuar që as nuk synon të krijojë parti politike dhe as të bëhet lider i opozitës por deri në vitin 2022 do të vijojë t’i shërbejë objektivit në ruajtje të Kushtetutës, për të mos kapur institucionet. Këto më shumë i shikoj si interpretime për të bërë diversion tek opozita sesa pasqyrë reale të realitetit politik në Shqipëri.

 

-Janë shtuar gjasat që edhe mund të hapen negociatat. Vlerësimi i Komisionit Evropian së fundi ishte mjaft pozitiv. Është një vlerësim krejt i kundërt me atë që është pasqyra e opozitës për gjendjen e demokracisë dhe të zhvillimit të vendit.

 

Është hera e katërt që jepet rekomandimi për të hapur negociatat, madje është dhënë edhe në kushtet kur Shqipëria u përmbyt nga kanabisi. Qëndrimi ynë si opozitë është që të hapen negociatat sepse do të kemi prezencë dhe kontroll më të madh ndaj mazhorancës. Përpjekje të tilla i kemi bërë si përmes partnerëve tanë, ashtu edhe me takime të tjera ose në pranimin e platfromës që miratoi Bundestagu gjerman. Ne e kemi pranuar këtë platformë dhe po përpiqemi të japim kontributin tonë për atë pjesë që na takon. Dy çështjet e para, hartimi i Kodit Zgjedhor dhe zbatimi i tij kërkojnë padyshim edhe kontributin e opozitës dhe ne po e bëjmë këtë.

 

-Si ka ndërmend të sillet PD ndaj aksionit politik të presidentit Meta që ka shpallur që do të zbresë në sheshe?

 

Ne nuk mund të spekulojmë se çfarë do të dodhë pas datës 15. Për momentin vëmendja jonë është përqendruar tërësisht në hartimin e reformës zgjedhore dhe më pas të kalojmë në çështjen tjetër që ka të bëjë me zbatimin e saj me zgjedhje të parakohshme. Ne kemi marrë një angazhim bazuar në dokumentin e Bundestagut, po japim të gjitha kontributet për të mbyllur një orë e më parë reformën zgjedhore dhe më pas të kalohet në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme si e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën e thellë politike në të cilën ka hyrë Shqipëria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *