Ditën e sotme në orën 18:00 opozita ka thirrur protestë kombëtare, si reagim pas dënimit të ish-deputetit Ervin Salianji me 1 vit burg.
Dita e sotme ëshgtë cilësuar nga kreu i PD, Sali Berisha, si fillimi i mosbindjes civile pa kthim, deri në krijimin e një qeverie teknike.
Lexo edhe :
Related Posts
1000 forca policore priten të angazhohen për të garantuar rendin e sigurinë gjatë protestës së opozitës dhe pjesë e tyre do të jenë dhe forcat shqiponja e FNSH.
Mësohet se protesta nuk do të ketë fjalime politike, teksa kryedemokrati Berisha në një videomesazh ditën e djeshme e cilësoi protestën si fillimin e mosbindjes civile.
PD kërkon krijimin e një qeverie teknike që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, policia ka marrë masat, ndërsa njofton se do të jenë të paktën 15 akse dhe kryqëzime të të gjithë kryeqytetit që mund të bllokohen nga protestuesit
“Në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe disa akse rrugore që lidhen me bulevardin kryesor.
Kryqëzimet e bllokuara do të jenë: Kryqëzimi i Librit Universitar, kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”, kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi te ish-stacioni i trenit, kryqëzimi i urës së Taiëanit, kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”, kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”, kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave, kryqëzimi i pallatit me shigjeta.
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim”, njofton policia, teksa apelon pjesëmarrësit të distancohen nga aktet e dhunës.
“Policia e Shtetit respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata që do të marrin pjesë në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cënon sigurinë publike dhe jetën dhe çdo akt dhune ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike e private, ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e policisë. /vizionplus.tv