
Sot protesta e madhe e opozitës, mbi 1200 policë në terren
Opozita e Bashkuar do të zhvillojë pasditen e kësaj shtune protestën e radhës ku do të kërkojë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Kjo është protesta e tretë e opozitës së bashkuar para kryeministrisë dhe e teta në total me gjithë ato të zhvilluara para Parlamentit.
Opozita e ka cilësuar këtë protestë si më të madhen që ka zhvilluar ndonjëherë.
Por pavarësisht këtyre deklaratave, ende nuk dihet se cilët do jenë skenarët e protestës.
Të gjithë mbështetësit e PD, LSI e forcave të tjera opozitare do të mblidhen në orën 18:00 para Kryeministrisë ku do të kërkojnë largimin e qeverisë.
Ndërkohë nga ana tjetër, policia ka angazhuar në terren rreth 1200 efektivë.
Pjesa më e madhe e efektivëve do të jenë të vendosur para godinës së Kryeministrisë e pjesa tjetër tek Piramida.
Po ashtu në kaudër të masave shtesë, policia ka rrethuar me gardh metalik godinën e Kryeministrisë si dhe ka vendosur kamera të shumta sigurie.
Për të mos lejuar dëmtimin e kamerave të sigurisë, të gjitha shtyllat janë lyer me graso.
Krahas këtyre masave, policia ka vendosur që të vendosë efektivë edhe tek godina e Parlamentit në mënyrë që të evitojë përplasjet si herën e kaluar.




