Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij demokrat Joe Biden përballen sot në debatin e dytë presidencial, vetëm 12 ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Komisioni i Debateve Presidenciale ka vendosur rregullave të reja: Dy kandidatët do të kenë mundësinë të flasin për 2 minuta në hapje te debatit, pa u ndërprerë nga kandidati tjetër, pasi mikrofonat do të jenë të mbyllur.

 

Një vendim i tillë u mor pas debatit të parë në fund të shtatorit që u cilësua si më i keqi në historinë e përballjeve presidenciale, pasi asnjëri nga palët nuk i dha mundësinë njëri-tjetrit t’i përgjigjej deri në fund pyetjeve.

 

Por ndërsa kandidatët synojnë të sigurojnë votën e amerikanëve të pavendosur, Trump e Biden duket se i kanë të qarta se si do të krijojnë epërsi ndaj  njëri tjetrit.

 

Ekipi i Trump ka thënë se presidenti do të flasë për një temë që nuk u prek gjatë debatit të pare: akuzat se djali i Xho Biden, Hunter Biden, ka përdorur emrin e të atit dhe postin e tij si nënpresident për të hyrë në marrëveshje fitim-prurëse me Ukrainën dhe Kinën.

 

Biden i ka cilësuar akuzat që lidhen me djalin e tij, si përpjekje për të njollosur fushatën.

Nga ana tjetër, ish-presidenti Barack Obama, në pjesëmarrjen e tij të parë fizike në fushatë, ka kritikuar ashpër Kreun e Shtëpisë së Bardhë duke nisur nga menaxhimi i pandemisë, ekonomia e lëkundur, çështjet racore dhe kujdesi shëndetësor.

 

Por Trump, gjatë një tubimi në Karolinën Veriore, i ka kujtuar Obamës parashikimin e gabuar të rezultatit të zgjedhjeve të 2016, ku siguroi mandatin presidencial.

Ndërsa amerikanët do të duhet të zgjedhin presidentin e tyre të ardhshëm, shërbimet e inteligjencës kanë zbuluar se Rusia dhe Irani kanë siguruar informacionet e regjistrimit të votuesve.

 

Drejtori i shërbimeve amerikane të zbulimit John Ratcliffe dhe kreu i FBI-së, Chris Wray thanë se SHBA do të përgjigjej me masa ndëshkuese ndaj çdo vendi të huaj që ndërhyn në zgjedhjet e nëntorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *