Sot parlamenti nis sesionin e fundit të mandatit të tij 4-vjeçar, pasi nga zgjedhjet e 11 majit do të dalë Kuvendi i ri.
Edhe në këtë sesion të fundit mazhoranca dhe opozita u përplasën për agjendën që do të ndjekë Kuvendi në muajt e ardhshëm dhe ligjet që do të miratojë.
Mazhoranca përfshiu në kalendarin e punimeve të Kuvendit nismën e deputetit Blendi Klosi, nismë që parashikon përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat për të gjitha hotelet dhe resortet me status special që mbajnë një emrin e një brandi të njohur ndërkombëtar.
Por opozita e kundërshtoi nismën duke sjellë në vëmendje se 4 muaj para zgjedhjeve nuk mund të miratohet asnjë ligj që parashikon ulje apo falje taksash.
“Ligji për heqjen e taksave shkel rregullat e Kodit Zgjedhor – nuk mund të votohet para zgjedhjeve të 11 majit! Kodi Zgjedhor e ndalon: Heqja e taksave nuk mund të kalojë në Kuvend gjatë vitit elektoral! Socialistët shkelin Kodin Zgjedhor me ligjin për heqjen e taksave në prag të zgjedhjeve të 11 majit!”, tha kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku.
Edhe pse ky parlament qëndron në detyrë deri në 10 shtator, puna e tij ka një seri kufizimesh për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme.
Së pari, edhe pse zyrtarisht kuvendi nuk shpërndahet, gjatë periudhës së fushatës elektorale nga 11 prilli deri në 11 maj nuk ka mbledhje të komisioneve dhe seancës plenare.
Sipas kodit zgjedhor nga sot deri në 11 maj parlamenti nuk mund të miratojë ligje që sjellin përfitime për kategori të caktuara të shoqërisë si rritje pagash apo pensionesh, nuk mund të uleë taksa dhe nuk mund të miratojë privatizime.
Ndërkohë që sipas Kushtetutës, ky Kuvend nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit, gjatë periudhës nga 10 korriku deri në 10 shtator./vizionplus.tv