Subscribe

Më 28 prill Ilir Meta, u zgjodh President i Republikës me votat e 87 deputetëve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, PS-LSI. Në atë seancë Meta premtoi se do të ishte president i të gjithëve, pa dallime kahu politik, për të garantuar stabilitetin e vendit dhe legjitimitetin e institucioneve. Këtë të hënë, parlamenti do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, për të zhvilluar ceremoninë e betimit të kreut të ri të shtetit. Në sallën e seancave plenare vijojnë ende rregullimet e fundit. Janë marrë masat për gjithë detajet duke nisur nga oborri, i cili pas shumë vitesh është shtruar me asfalt të ri dhe vijëzuar.

 

Në orën 18.00, do të nisë ceremonia e betimit, ku do të marrin pjesë përveç deputetëve të PS-së dhe LSI-së, edhe ata të opozitës, të cilët nuk ishin pjesë e votimit në fund të prillit. Seancë e cila do të drejtohet nga nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj, e cila do të lexojë formulën e betimit.

 

Pas këtij moment, mësohet se për herë të parë Ilir Meta, me statusin e Presidentit të i Republikës do t’i drejtohet Kuvendit me një fjalë përshëndetëse.  Ceremonia do të vijojë më pas, në presidencë, ku rreth orës 19:30 do të pritet nga Presidenti në detyrë Bujar Nishani, i cili simbolikisht do t’i dorëzojë postin e kreut të shtetit. Protokolli parashikon, që kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, t’i dorëzojë kreut të shtetit Kushtetutën e vendit. Ceremoniali zyrtar parashikon për këtë eveniment të rëndësishëm edhe 21 të shtëna topi.

 

Në aktivitetin ku do të jenë të ftuar zyrtarët të më të lartë të shtetit dhe politikë shqiptare, si dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik e komuniteteve fetare, Ilir Meta do të mbajë fjalimin e parë nga zyra e tij e re. Mësohet se Ilir Meta nuk do të ketë përkrah bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, e cila mban postin e kryetares së LSI-së, por vajzën e tij të madhe.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *