Sonte, në mbrëmje, bregu magjepsës i Aramerasit në Ksamil do të ndizet nga një nga zërat më të fuqishëm të muzikës greke, Anna Vissi, e cila ngjitet në skenën e Arameras Sounds për një koncert ekskluziv buzë detit.
Ky event pritet të jetë një nga kulmet e verës në rivierën shqiptare, duke sjellë jo vetëm një legjendë të muzikës, por edhe një përvojë unike nën tingujt e natës, teknologjinë më të avancuar audio dhe atmosferën magjike të jugut.
Anna Vissi, e njohur për hitet e saj të pavdekshme, do të dhurojë një “one night only” show që premton emocion, nostalgji dhe ritëm. Me dekada karrierë dhe miliona ndjekës në gjithë botën, Vissi rikthehet në Shqipëri pas shumë vitesh, për t’u takuar me publikun shqiptar në një format të veçantë live, ku skena takon horizontin e detit.
Koncerti është pjesë e Arameras Sound, e cila synon të sjellë një seri eventesh të kuruara me kujdes për të promovuar art dhe muzikë në harmoni me natyrën. Me një skenë të ndërtuar mbi rërë dhe përballë detit, tingujt e Anna Vissit do të shpërhapen mes yjeve, duke krijuar një përvojë unike për të gjithë të pranishmit.
Vita Production, sjell për herë të parë në Shqipëri një projekt të këtij dimensioni. Prodhimi është realizuar me standarde ndërkombëtare dhe profesionalizëm të lartë, duke vendosur një model të ri për organizimin e eventeve në vend.
Biletat janë të ezauruara, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me emocione dhe pritshmëri. Fansat nga Shqipëria, Kosova, Greqia dhe më gjerë kanë mbërritur në Ksamil për të qenë pjesë e këtij momenti unik./vizionplus.tv





