Para se të udhëtojë për në Luksemburg, ku do të mbahet Konferenca e Katërt Ndërqeveritare BE-Shqipëri, kryeministri Edi Rama dha një prononcim të shkurtër për mediat, së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, me të cilin u takua në Bruksel.
Kreu i qeverisë tha se Shqipëria vijon e përkushtuar në përmbushjen e detyrave për të përmbyllur negociatat.
“Sot është një ditë e mirë për ne, sepse kemi një tjetër konferencë dhe hapim kapituj të tjerë, ndërkohë që jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar presidenti për një bisedë rreth përparimit në këtë proces dhe për samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik, një aktivitet i rëndësishëm, por me rëndësi të veçantë në këtë moment. Do të flasim për rajonin, ndaj të cilit presidenti është veçanërisht i përkushtuar. Në përgjithësi, jam i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit për të përmbyllur të gjitha negociatat,” tha Rama.
Presidenti i Këshillit Evropian njoftoi se në mes të muajit maj do të zhvillojë një tur vizitash në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Zgjerimi është një përparësi e qartë për BE dhe investimi më i rëndësishëm gjeo-strategjik për paqen, begatinë dhe stabilitetin e kontinentit tonë. Është inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim. Sot hapim grup-kapitullin tjetër dhe ambicia jonë është të hapim edhe të tjerë gjatë këtij viti. Kjo është e rëndësishme për BE dhe Shqipërinë, por mendoj se është një shenjë për të gjithë rajonin, se mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien dhe paqen në Ballkan është BE dhe anëtarësimi në të. Do të vizitoj personalisht rajonin në mes të muajit maj, në të 6 vendet e rajonit, për të rritur bashkëpunimin. Kjo është mundësi e mirë për të folur për samitin e Komunitetit Politik që do të mbahet më 16 maj,” u shpreh Antonio Costa, President i Këshillit Evropian.
Konferenca e Katërt Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të nisë në orën 18:00, ku do të jetë e pranishme edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ndërsa rreth orës 19:30 do të ketë një konferencë për shtyp mes Kryeministrit Rama, Ministrit të Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski, dhe Komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.
/vizionplus.tv





