Subscribe

Hillary Clinton dhe Donald Trump do të kenë mundësinë t’ia thonë në sy njëri-tjetrit dhe njëherësh, gjithë amerikanëve, vizionin e tyre për qeverisjen e Shteteve të Bashkuara. Kandidatja demokrate dhe ai republikan përballen sonte në debatin e parë televiziv presidencial. Një lum akuzash dhe kundër akuzash kanë shoqëruar fushatën e deritanishme. Tashmë ka ardhur koha që dy kundërshtarët, të ballafaqohen dhe të mbrojnë pikëpamjet e tyre.

Sfida e parë mes kandidatëve presidencialë amerikanë zhvillohet në Hofstra University, në Hempstead të shtetit të Nju Jorkut. Debati ndahet në tre segmente tridhjetë minutësh, ku do të trajtohen çështje të politikës së brendshme, siç është ekonomia dhe siguria e Amerikës. Përballja e dy rivalëve do të moderohet nga gazetari i NBC News Lester Holt dhe transmetohet drejtpërsëdrejti në disa rrjete televizive amerikane e ndërkombëtare, si dhe në internet. Clinton dhe Trump takohen për debatin e parë me një diferencë shumë të ngushtë, sipas sondazhit më të fundit nga Washington Post dhe ABC News. Clinton ka humbur shumë në mbështetje që prej gushtit. Ajo kryeson tashmë me vetëm 46 përqind në shkallë kombëtare, përkundër 44 për qind të Trump. Diferenca me dy për qind është fare e vogël, duke parë marzhin e gabimit prej 4.5 për qindësh. Pjesa tjetër e votave, sipas këtij sondazhi, shkojnë për kandidatët e palës së tretë, libertarianin Gary Johnson dhe për Jill Stein nga Green Party.

Në historinë e debateve televizive presidenciale në SHBA ka ndodhur që për një gafë, kandidatët të humbasin zgjedhjet. Ka ndodhur gjithashtu që falë një paraqitjeje të përsosur, kandidatët i kanë fituar zgjedhjet. Kjo do të jetë vetëm sfida e parë televizive mes dy rivalëve për drejtimin e zyrës ovale. Dy përballje të tjera e ndjekin më vonë. Se çfarë do të ndodhë, na mbetet ta shohim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *