Ambasadorët e Libanit dhe Izraelit pritet të zhvillojnë sot bisedime në Uashington, në një takim që konsiderohet historik. Kjo pasi është hera e parë në dekada që përfaqësues të të dy vendeve takohen ballë për ballë për negociata të drejtpërdrejta, pavarësisht mungesës së marrëdhënieve diplomatike. Në këto bisedime të rralla pritet të marrë pjesë edhe kryediplomati amerikan, Marco Rubio.
Sipas burimeve diplomatike, ambasadorët do të diskutojnë mundësinë e hapjes së rrugës për bisedime të drejtpërdrejta në nivele më të larta midis dy vendeve. Nga ana tjetër, autoritetet libaneze kanë shprehur dëshirën që fillimisht të arrihet një armëpushim në konfliktin e vazhdueshëm mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Megjithatë, Tel Avivi ka refuzuar këtë opsion, duke këmbëngulur që grupi i mbështetur nga Irani duhet të çarmatoset plotësisht. Vetë Hezbollahu ka hedhur poshtë idenë e bisedimeve dhe ka deklaruar se nuk do të respektojë asnjë marrëveshje.
Përplasjet e fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë pasur pasoja të rënda për Libanin. Sipas të dhënave, më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur, ndërsa mbi 2,000 persona kanë humbur jetën, përfshirë qindra gra, fëmijë dhe punonjës të shëndetësisë.
Ndërkohë, një bllokadë amerikane e porteve të Iranit është në fuqi që nga e hëna. Ushtria amerikane bëri me dije se nuk do të pengojë anijet që përdorin ngushticën për të shkuar dhe për t’u kthyer nga portet jo-iraniane. Megjithatë, mediat kanë raportuar për kalimin e disa anijeve me ngarkesa iraniane gjatë natës.
Arabia Saudite i kërkoi SHBA-së të ndërpresë bllokadën e Ngushticës së Hormuzit, nga frika se Irani mund të hakmerret dhe të synojë rrugë të tjera detare.
Ndërsa zv.presidenti amerikan dhe njëkohësisht kryenegociatori i bisedimeve JD Vance tha se tani i përket Iranit të vendosë se çfarë do të ndodhë me të.
“Ne kemi avantazhin ushtarak. Tani kemi edhe presion shtesë ekonomik që po u aplikojmë atyre nëpërmjet bllokadës që kemi vendosur ndaj naftës që vjen nga Ngushtica e Hormuzit. Ne kemi shumë karta. Kemi leva dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë iranianët me to.”
Sipas mediave të huaja, pritet që negociatorët amerikanë dhe iranianë të rikthehen në Islamabad këtë fundjavë pas dështimit të raundit të parë të bisedimeve.
/vizionplus.tv





