Sot shënohen 25 vite nga masakra në Pastasellë të Komunës së Rahovecit dhe në Burim të Malishevës, dy ndër masakrat më të tmerrshme që kanë bërë forcat kriminale serbe gjatë luftës së Kosovës të vitit 1999.

Në masakrën në Pastasellë të Rahovecit janë vrarë dhe masakruar 106 persona nga ky fshat dhe fshatrate  tjera përreth.

Edhe sot e kësaj dite nga kjo masakër ende ka familjarë që kërkojnë t’i kthehen trupat e më të dashurve të tyre, të cilët edhe pas 25 vjetësh figurojnë të pagjetur.

Në këtë masakër përpos vrasjes dhe masakrimit nga forcat serbe, të vrarët më pastaj edhe janë djegur. Në këtë masakër kanë mbijetuar 13 persona.

Për vrasjen dhe masakrimin e 106 martirëve, deri më tani nuk është dënuar asnjë serb që ka marrë pjesë në masakrën e fshatit Pastasellë.

Po sot, mbushen 25 vjet edhe nga masakra në Burim të Malishevës, përkatësisht nga masakra e forcave serbe ku u vranë dhe u masakruan 42 civilë shqiptarë.

Masakra në Burim është masakra më e madhe që ka ndodhur në Malishevë gjatë luftës së fundit, ndërsa deri më sot, për këtë ngjarje dhe për asnjë vrasje tjetër gjatë luftës, nuk është dënuar askush.

Më 31 mars 1999, te vendi i quajtur Vrella e Mëhillit në Burim të Malishevës, u vranë dhe u masakruan 42 civilë, shumica prej tyre nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup, si dhe tre banorë të Suharekës, të cilët ishin strehuar në këtë pjesë. Po në këtë ditë, në fshatrat tjerë janë vrarë dhe masakruar edhe civilë të tjerë./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *