E premte, 13 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 01:35 Në vijim ora 01:35: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

Sot, 19 vjetori i bombardimeve të NATO-s në Serbi

24 marsi do të mbahet mend gjatë në Kosovë, pasi 19 vjet më parë, NATO nisi sulmet ajrore kundër Serbisë, bombardime qe zgjatën për 78 ditë me radhë.

 

Ne orën 19:45 të 24 marsit 1999, aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë Serbe.

 

Reklamë

Urdhrin për fillimin e sulmeve ajrore e njoftoi Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Atë natë, ai i tha popullit amerikan, se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësia e vetme e dhënies fund të genocidit në Kosovë.

 

“Ne dhe Aleanca e NATO-s bëmë të gjitha përpjekjet me qëllim arritjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili ka shkaktuar luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend të paqes”.

 

Sulmet ajrore kundër forcave serbe vazhduan deri më 9 qershor me arritjen e Marrëveshjes së Kumanovës, e njohur ndryshe si kapitullimi i Millosheviç.

 

Nëntëmbëdhjetë vjet më pas, politikanë dhe qytetarë të Kosovës, shprehin sërish falenderim për ndërhyrjen historike.

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan në facebook se “u jemi përjetësisht mirënjohës SHBA-së, shteteve të BE-së dhe Aleancës së NATO-s, që me ndërhyrjen e tyre hapën kapitullin e çlirimit të Kosovës”.

 

Ndërsa kryeministri Haradinaj shkruan se “Fushata ajrore e NATO-s, që filloi më 24 mars 1999, ishte vendimtare për lirinë e popullit të Kosovës. Lavdi dhe mirënjohje e përjetshme heroizmit të grave dhe burrave të NATO-s, që u flijuan në shërbim të mbrojtjes së jetës dhe shpëtimit të një populli të tërë të pambrojtur”, shprehet Haradinaj.

 

Gjatë viteve 1998-1999 të luftës në Kosovë u vranë më shumë se 10 mijë kosovarë, ndërsa rreth 1 milionë të tjerë u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre, për t’i shpëtuar terrorit të ushtrisë serbe.

Vazhdo të lexosh

Reklamë