Sot shënohen 15 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.
Kreu i qeverisë, Edi Rama përmes një postimi në llogarinë e tij Facebook, duke e quajtur 21 janarin krim shtetërore, thotë se edhe pas 15 vitesh katër të vrarët nuk prehen dot në paqe për shkak të mungesës së drejtësisë.
“MIRËMËNGJES dhe sot, në 15-vjetorin e një krimi shtetëror të pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare, kur katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë, me bindjen që sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Gjatë protestës u vranë Akeks Nika, Ziver Veizit, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.
Në korrik të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.
Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.





